Një kishë britanike ka marrë përsipër të ndryshojë tekstet e këngës së Krishtlindjes të shekullit të 17-të ‘God Rest Ye Merry, Gentlemen’ për ta bërë atë më ‘përfshirëse’ ndaj grave dhe njerëzve ‘queer’.
Kënga, e cila u interpretua me tekstin e ndryshuar në një shërbim të hënën, ka shkaktuar grindje brenda Kishës së Anglisë pasi kritikët thonë se ndryshimet janë një përpjekje e hapur për të injektuar një ideologji politike progresive.
Në versionin e saj, kisha në Loughborough, Angli, hoqi të gjitha referencat për Krishtin si shpëtimtar, çdo përmendje të mposhtjes së Satanit dhe hoqi plotësisht historinë e lindjes së Krishtit të paraqitur në origjinal. Në vend të kësaj, versioni i ri thotë ‘gratë, të cilat nga burrat janë shuar, gjatë historisë janë injoruar dhe përçmuar, sharë e përzënë’.
Teksti i përditësuar u shpërnda në Twitter nga një famullitare e quajtur Rachael Piffle. Pasi postimi fillestar shkaktoi reagim të ashpër, ajo shpjegoi se shërbimi ku u këndua versioni i përditësuar i këngës ishte ai që quhet shërbimi i këngës së komunitetit të organizuar nga bashkia, që mbledh fonde për një shtëpi kujdesi për fëmijët dhe që u ndoq nga persona që nuk shkojnë rregullisht në kishë.
“Ne kishim përfaqësues nga organizata të mëdha bamirësie në zonën tonë që punonin me të pastrehët, refugjatët dhe grupet e tjera të njerëzve në nevojë. A nuk mendoni se injorimi i punës së tyre do të ishte i pasinqertë?” – argumentoi Piffle.
Megjithatë, fraksionet tradicionaliste brenda Kishës së Anglisë e kanë dënuar përpjekjen për të rishkruar tekstet tradicionale. Zyrtari i kishës Sam Magrave iu përgjigj tekstit të ri duke deklaruar në Tëitter se ishte ‘absolutisht i neveritur’ që një akt adhurimi po përdorej për të nxitur një ‘ideologji politike’.
Ish-vikari Reverend Matthew Firth shtoi zemërimin duke deklaruar se fjalët u ndryshuan qartë për t’iu përshtatur një ‘axhende progressive liberale e jobiblike’.