Vendosni fjalën kyçe....

Luftimet Rusi-Ukrainë/ Plagoset zyrtari i lartë rus nga bombardimet në Donetsk


Një ish-zëvendëskryeministër rus është plagosur nga bombardimi i një hoteli në një zonë të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore.

Siç shkruan BBC, Dmitry Rogozin, i cili dikur drejtonte gjithashtu agjencinë hapësinore, ishte goditur në shpatull. Një tjetër person thuhet se është vrarë në sulmin në periferi të qytetit Donetsk.

Vitaly Khotsenko, i cili kryeson Republikën Popullore të Donetskut si përfaqësues i Rusisë, thuhet gjithashtu se u plagos.

Kush është Dmitry Rogozin

Rogozin është i njohur gjerësisht për retorikën e tij anti-perëndimore dhe mbështetjen e tij për pushtimin rus të Ukrainës.

Ai u zëvendësua si shefi i agjencisë hapësinore Roscosmos në verë, pas sugjerimeve se Kremlini do t’i jepte atij një rol kyç në zonat e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore. Në vend të kësaj, ai duket se drejton një njësi vullnetare të quajtur “Ujqërit e Carit” që ofron mbështetje për forcat proxy të Rusisë në lindje.

Ai mbushi 59 vjeç të mërkurën, por mohoi raportet se po festonte ditëlindjen e tij në hotelin lokal Shesh-Besh, duke shtuar se dikush kishte zbuluar detaje se ku ishte përpara sulmit.

“Ishte një takim biznesi me një rreth të ngushtë bashkëpunëtorësh pas kthimit nga një nga njësitë vullnetare.”- postoi ai në rrjetet sociale të enjten. “Ne kemi qëndruar në këtë hotel gjatë gjithë këtyre muajve dhe në tetë vjet armiku nuk e granatoi kurrë këtë vend.”

Donetsk është kontrolluar nga autoritetet ruse që nga viti 2014, të cilët kanë akuzuar vazhdimisht forcat ukrainase për shënjestrimin e qytetit. Edhe pse forcat ruse kanë kapur zona të rajonit të Donetskut më në jug që nga fillimi i pushtimit në shkurt, ato kanë luftuar për të larguar ushtrinë ukrainase nga periferitë e vetë qytetit.