Më pak amerikanë po shkojnë në kishë se kurrë ndonjëherë, sipas sondazheve të fundit. Sondazhet e përmendura në disa raporte të mediave amerikane të mërkurën tregojnë se një kombinim i bllokimeve pandemike dhe ndërrimeve të brezave në qëndrime e ka bërë kombin dikur solid të krishterë të vërë në dyshim marrëdhënien e tij me fenë e besimin.
Më shumë se katër në pesë amerikanë (81%) besojnë në Zot, sipas një sondazhi të Gallup të kryer në fillim të këtij viti. Ndërsa kjo është ende një shumicë e konsiderueshme, është gjithashtu përqindja më e ulët që kur sondazhi filloi të bënte pyetjen në vitin 1944, kur 98% e amerikanëve përkrahnin besimin.
Në mënyrë të ngjashme, numri i amerikanëve që i përkasin një kishe, xhamie ose sinagoge është në nivelin më të ulët historik, duke përbërë një pakicë të popullsisë (47%) për herë të parë vitin e kaluar, sipas Gallup. I nxitur nga një rritje e atyre që nuk pretendojnë përkatësi fetare, një grup që ka rivalizuar në madhësi katolikët ose të krishterët ungjillorë që para pandemisë Covid-19, rënia ka të ngjarë të vazhdojë, sugjeron sondazhi.
Megjithatë, ndryshimi i qëndrimeve shoqërore nuk është i vetmi përgjegjës. Pjesëmarrja në kishë ra me 45% nga viti 2020 deri në shkurt 2022, sipas një analize nga ABC News, pasi shumica e shteteve amerikane mbyllën tubimet lidhur me Covid-19.
Ndërkohë që disa kisha u përpoqën të mbanin shërbime virtuale, apo edhe besimtarët të mblidheshin në makinat e tyre të parkuara jashtë, numri i tyre nuk është rikuperuar plotësisht, vetëm rreth një në pesë (22%) pastorë protestantë i thanë ‘Lifeëay’ se pjesëmarrja në shërbimet e tyre ishte afër numrave të janarit 2020.
Ndërsa të rinjtë kanë më shumë gjasa të identifikohen si jofetarë sesa të moshuarit e tyre, amerikanët me arsim universitar kanë më shumë gjasa të jenë anëtarë të një kishe, sinagoge ose xhamie, sipas hulumtimit të kryer vitin e kaluar nga Qendra e Anketimit për Jetën Amerikane.
Kjo është pjesë e një tendence të përgjithshme drejt izolimit social midis më pak të arsimuarve, të cilët, sipas anketuesit, kanë më pak miq të ngushtë, më pak mbështetje sociale dhe kanë më pak gjasa të martohen.
Megjithatë, jo të gjitha grupet fetare kanë parë rënie të numrit të tyre kohët e fundit. Të ashtuquajturat kisha jokonfesionale, protestantë që nuk i përkasin grupeve të themeluara si metodistët apo baptistët jugorë, janë rritur me 9,000 në dekadën e fundit, sipas censusit të fesë në SHBA.