Vendosni fjalën kyçe....

Policia sqaron ngjarjen: Efektivi i “Shqiponjës” goditi policin e rrugores, pezullohet nga detyra


Policia e Shtetit ka sqaruar lajmin për një konflikt mes dy punonjësve të policisë.

Në njoftimin e saj policia thotë se konflikti ka ndodhur midis një efektivi të policisë rrugore dhe një punonjësi të forcës “Shqiponja” në rrugën e Barrikadave në Tiranë.

Efektivi i rrugores N.H ka ndaluar kolegun e tij të forcës “Shqiponja” Y.D pasi e konstatoi për parakalim të gabuar dhe me xhama të errësuar më pas ky i fundit e ka ofenduar dhe goditur për shkak të detyrës policin e rrugores.

Punonjësi i “Shqiponjës” është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”.

“Në lidhje me një lajm të publikuar në portale që bën fjalë për një konflikt të ndodhur mes një punonjësi të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore dhe një punonjësi të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ju informojmë se: 

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, shtetasit Y. D., punonjës Policie pranë Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pasi:

Në rrugën e Barrikadave, punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, shtetasi N. H., ka konstatuar në parakalim të gabuar dhe me xhamat e errësuar automjetin me drejtues shtetasin Y. D., të cilit i ka bërë shenjë ndalimi.

Drejtuesi i mjetit pasi ka ndaluar, është konfliktuar me punonjësin e Policisë, shtetasin N. H., të cilin e ka ofenduar e goditur për shkak të detyrës.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor për punonjësin e Policisë.

Po në lidhje me këtë ngjarje është duke kryer veprime AMP”-njofton policia.