Kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave nga deputeti Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, lidhur me procesin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese.
Rama deklaroi hapur se PS-ja nuk do të votonte kandidaturën e PD-së, për avokatin e Popullit, që është Ledio Braho.
“Për të ardhur keq që kjo gjuha me mafie kriminelë e intimidime është bërë buka e përditshme e çdo fjalimi e ndërhyrje për procedurë e të gjithëve bashkë me ose pa vulë. e vërteta është ndryshe. Grupi i PS nuk funksionon në mënyrë klandestine. Kur ka vendime politike e vendimmarrje të unifikuara politikisht ne marrim vendime.
Ne nuk e kemi një vendim të tillë, kur të vijë momenti do jua shpjegoj pse.
Përsa i përket avokatit të PD, mbajeni se do ju duhet për proceset e vulave.
Por nuk mund ta sillni këtu ta votojmë ne. Procesi kërkon bonsens. Ne kemi marrë përsipër propozimin për avokatin e popullit për të shkuarën. Nuk kemi sjellë asnjë avokat të PS-së. Nuk ka lënë gjyq pa humbur me ne. Nuk mbeti asnjë njeri përveç avokatit të vulës. Kjo nuk ka shans fare. Nuk ka asnjë përpjekje për të ngatërruar ndonjë votim. Nuk votojmë asnjë kandidat të atyre që luftojnë për vulë, dhe atë të vulëhumburit. Votimi tjetër është votimi i lirë i secilit. Kështu që luftën me mafien vazhdojeni në rrugët e fantazive tuaja. Pse bërtet tani?
S’ke çfarë thua fare, sepse po ta përsëris. Se kemi kurrë ne problem t’ju themi se çfarë duam të bëjmë. Kurrë. Por në këtë rast kjo është një fantazi. Kjo është offshori që s’ka prova. Për çfarë do ju japim llogari ne se kë duam të votojmë. Po ju them edhe njëherë tjetër. E mora fjalën për hir të së vërtetës. Nuk e kemi problem.”– tha Rama.