Pas sherrit me Gazment Bardhin, kryeministri Edi Rama ka folur për këtë incident në Parlament duke u shprehur se nuk mund të duronte më akuzat e hedhura në drejtim të tij.
Rama tha se fjalës “mafioz, hajdut” duhej të ndaloheshin së përdoruri pa prova në Parlament. Madje shtoi se do i bënte një kërkesë me shkrim kryetare së Parlamentit Lindita Nikollës, që deputetët që do përdornin fjalë të tilla, të dilnin para Komisionit të Rregullores e të tregonin provat, në të kundërt të përjashtohen nga seanca.
“Zonja Açka unë e dëgjova me vëmendje fjalën tuaj dhe unë dua t’ju them që në radhë të parë unë nuk jam prej betoni, jam prej mishi dhe prej kockash dhe kryeministër as kam lindur, as do vdes. Është një periudhë e jetës sime që e bëj këtë detyrë dhe jam shumë i privilegjuar që e bëj këtë detyrë. Por vjen një kohë kur MJAFT është MJAFT.
Por më vjen keq që dhe ju që jeni njeri i letrave ratë në të njëjtin gabim. Më thatë që nisa sherrin. Nuk e nisa unë sherrin. Refuzoj të pranoj që fjalët ‘kriminel, mafioz e hajdut’ të marrin statusin e gjithëpranuar dhe njeriut që merr këto fjalë, ti kërkohet të ruajë qetësinë. Kush është mafioz, është subjekt i drejtësisë dhe unë mendoj që t’i thuash tjetrit të tilla fjalë do të thotë ti kesh thënë të fundit. Dhe kur të kërkon prova dhe të mos jesh në gjendje të japësh asnjë provë, do të thotë të jesh palaço.
Më vjen shumë keq por kjo është diçka që unë e ndjeva për detyrë ndaj djalit tim, atij të voglit, që nesër pasnesër ta dije mendimin tim për këto poshtërsi që përsëriten këtu si bukë e përditshme. Dhe ju duhet të sensibilizoheni ndaj kësaj gjuhe. Gjuha kriminalizuese ndaj tjetrit është fundi. Por ti përsërisësh pafundësisht tjetrit dhe të tjerëve vetëm se je kundërshtar politikë, kjo është e padurueshme. Kjo nuk mund të gëlltitet me. Kjo nuk mund të durohet më. Dhe unë do i kërkoj me shkrim kryetares së Kuvendit, që kush i përdor këto fjalë të përgjigjet në Komisionin e Rregullores dhe nëse ka prova ti ndajë që të mos përjashtohet. Ka 1 mijë mënyra për të bërë debate. Ju thatë gjithçka që ishte kritike ndaj meje, por unë vazhdoj debatin me ju se s’më thatë as mafioz, as kriminel.”– tha Rama.
Këto fjalë ai i tha pasi u kritikua nga deputetja Flutura Açka, se sherrin sot në Parlament e kishte nisur ai kur u kishte thënë deputetëve të opozitës se ishin “vulëhumbur”.
Deputetja e PD-së i tha Ramës të mbante përgjegjësi për nisjen e sherrit.
“Zoti kryeministër, ju jeni këtu edhe në rolin e njeriut që duhet të ekuilibrojë gjërat. Unë ju kujtoj që zullumin e sotëm e nisët ju i pari, kur fyet këtë pjesë, e vogël apo e madhe s’ka rëndësi, është pjesë e votuar nga shqiptarët, e fyet si vulëhumbur. Kur ju e dini shumë mirë që vulën, një nga njerëzit që e mbani vulën tonë peng jeni ju. Me fijet e këtij gjyqësori që flasim sot dhe për të cilin duhet të votojmë sot. Kështu që sherrnajën e nisët ju sot. Në fakt ne jemi vulëhumbur është e vërtetë, ose akoma s’jemi të orientuar, s’e di. Jemi deputetë të rinj dhe mund të mos kemi përvojën e duhur dhe ju e gjeni shumë të lehtë për të na fyer, për të na intimiduar, për të na bullizuar, por një gjë është e sigurtë. Që kjo pjesë këtu të paktën, që ju e keni quajtur, s’e kam për turp fare ta them se jam shkrimtare, e keni quajtur gojore. Kjo pjesë këtu mund të jetë vulëhumbur, por nuk ka lidhje me SPAK-un. Asnjëri këtu nuk bie si kokërr fiku për shkak të SPAK-ut, juve ju kanë rënë ca e po të ishte SPAK-u SPAK, do ju kishin rënë edhe më shumë. Kështu që do ju lutesha, edhe si njeri i letrave, të bëni kujdes kur flisni në PArlament, ju e filluat sherrin sot dhe mbani përgjegjësi.”- tha Açka.