Vendosni fjalën kyçe....

BE përgatit paketën e nëntë të sanksioneve ndaj Rusisë


Bashkimi Evropian po punon për një paketë të nëntë sanksionesh ndaj Rusisë në përgjigje të sulmit të Moskës ndaj Ukrainës, tha shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen gjatë një vizite në Finlandë të enjten.

“Ne po punojmë fort për të goditur Rusinë aty ku shkaktohet dhimbje për të zbutet edhe më tej kapacitetin e saj për të vazhduar luftën kundër Ukrainës. Mund të njoftoj sot se po punojmë me shpejtësi të plotë për një paketë të nëntë sanksionesh”, tha zonja von der Leyen në një konferencë shtypi.

“Kam besim se shumë shpejt do të miratojmë një kufi global të çmimit të naftës ruse me vendet e G7-ës dhe partnerë të tjerë të mëdhenj. Ne nuk do të pushojmë derisa Ukraina të dalë fitimtare mbi Putinin dhe luftën e tij të paligjshme dhe barbare,” tha ajo.

Von der Leyen nuk dha detaje se çfarë masash mund të përmbajë një raund i ri i sanksioneve të BE-së.

Muajin e kaluar BE-ja dha një miratim përfundimtar për paketën e tetë të sanksioneve mbi pushtimin, duke përfshirë më shumë kufizime në tregtinë e çelikut dhe produkteve të teknologjisë.