Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar do kishte qenë shumë më mirë nëse vendi do të kishte qëndruar në Bashkimin Evropian, tregon një studim nga Qendra për Reforma Evropiane (CER).
Sipas gjetjeve, deri në qershor 2022, PBB-ja e vendit ishte 5.5% më e vogël se sa mund të ishte nëse nuk do të kishte ndodhur Brexit, që është një humbje e vlerësuar prej 33 miliardë paund (40 miliardë dollarë).
Për studimin, CER llogariti se si Britania do kishte përfituar nëse nuk do ishte larguar nga blloku, duke e krahasuar të dhëna nga vende të tjera, performanca ekonomike e të cilave është e përafërt me atë të Britanisë së Madhe para Brexit. Ajo zgjodhi SHBA-në, Gjermaninë, Norvegjinë dhe Australinë për referencë.
“Goditja e Brexit ka çuar në mënyrë të pashmangshme në rritje të taksave, sepse një ekonomi me rritje më të ngadaltë kërkon taksa më të larta për të financuar shërbimet dhe përfitimet publike. Nëse Brexit nuk do të kishte ndodhur, shumica e rritjes së taksave që ministri i atëhershëm i Financave Rishi Sunak njoftoi në mars 2022 nuk do ishin të nevojshme. Të ardhurat nga taksat do të ishin rreth 40 miliardë paund më të larta në bazë vjetore,” thotë studimi.
Sipas gjetjeve, investimi i Britanisë së Madhe është gjithashtu aktualisht 11% më i ulët se sa mund të ishte pa referendumin e 2016-ës, ndërsa tregtia e mallrave të vendit është 7% më e ulët.
“Brexit ka pasur një ndikim të rëndësishëm në ekonomi. Ka pasur një goditje të konsiderueshme në tregti dhe investime. Ka një hendek midis gjërave që politikanët duan të thonë për Brexit dhe asaj që na tregojnë të dhënat. Mendoj se është bërë e pamundur të argumentohet se Brexit nuk e ka dëmtuar ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar,” tha John Springford, nënkryetari i CER dhe autor i studimit, për The Independent.