Vendosni fjalën kyçe....

IKMT dhe Policia zbarkon në pallatin pranë shkollës “Petro Nini Luarasi’, banorët refuzojnë shembjen


Policia dhe IKMT këtë të premte kanë nisur një aksion për të shembur një pallat në rrugën ‘Margarita Tutulani’, pranë shkollës “Petro Nini Luarasi” në Tiranë.

Por banorët kanë refuzuar të lënë banesat e tyre. Ata shprehen se mbeten pa strehim dhe nuk kanë ku të shkojnë.

 “Ku të shkoj të rri tek Lana apo të digjem brenda, këto dy rrugë kam, s’kam ku të shkojnë. Të na strehojnë, të na japin një dhomë, ku të jetoj, të rri e qetë, Jam 45 vite që jetoj në këtë pallat, pse të dal si qen unë, jam e këtij vendi, jam lindur e rritur këtu. Pse kështu? A ka shtet? Ka ardhur koha e hajdutëve e maskarenjve.”- tha një banore.

Një tjetër u shpreh: “Tironce, të dal nga shtëpia ime, shkon në Francë të jep strehim, shëndetin, lekun për njerëzit e huaj. Të jesh në vendin tonë dhe të dalësh në rrugë. Të dalin prindërit si legena në rrugë, një jetë të tërë duke punuar, duke dhënë gjakun e trupit për të na rritur neve, vjen shteti të nxjerr jashtë.”

Bëhet fjalë për rreth 10 familje që jetojnë në një pallat 2-katësh, të cilët janë aktualisht në një proces gjyqësor për të kundërshtuar shembjen e pallatit dhe pretendojnë se një gjyq e kanë fituar.

Nga qeveria pretendohet se pallati është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, mirëpo banorët thonë se ka një tjetër vendim gjykate që tregon se godina e tyre nuk është e dëmtuar nga tërmeti.

Në një prononcim për mediat, një banor tjetër shpjegoi se përmes ekspertizave ishte rënë dakord që ky pallat mos të shembej.

“Pallati është shumë solid, i fortë, me të gjitha ekspertizat e inxhinierëve na u dha e drejtë se pallati nuk do shembje. E morëm këtë betejë para 1 muaj e gjysmë. E tani do zbatohet një vendim i vitit 2013, ai është ezauruar.

Ishte një VKM për zaptimet. Ka banorë që jetojnë që prej 45-ës. Unë kam 40 vite në këtë pallat. Të tjerë kanë ikur jashtë shtetit, apo dhe nga kushtet. S’na ka lënë kush që të zhvillohet kjo godinë, për shkak të problematikave. Ne kemi bërë ankimet tona nëpër instancat, jemi në proces gjyqësor. Është caktuar dhe data. Kalvari i pronësisë dhe i gjyqeve është 25-26 vjeçar. Presim. Nuk na njihet pronësia se kanë ndodhur këto gjëra, por jemi në gjyq. Këta nuk e pritën që të jepet masa e sigurisë nga gjykata, dhe ndërhyjnë tani. S’kemi asnjë ndihmë, asnjë zgjidhje nuk na është ofruar nga bashkia. Para 1 jave na nisën një njoftim. Bëmë ankimimet tona në drejtorinë e Policisë së Tiranës, te Krimi Ekonomi, te Antikorrupsioni, etj.”– tha banori.