Vendosni fjalën kyçe....

KLSH: Shfrytëzimi minerar, subjektet pa paguar 54 milionë euro si qira toke në Bulqizë


Bulqiza e cila është zemra e sektorit minerar në vend, me një aktivitet të dukshëm në sektor duket se nuk arrin të marrë pas atë që i takon.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Bashkinë e Bulqizës ka konstatuar se autoritetet lokale duket se kanë neglizhuar pjesën që i takon kontratave të qirasë për tokën në shfrytëzim minerar nga ana e subjekteve që kanë një lejë.

KLSH raporton se nga të dhënat e disponuara nga faqja zyrtare e AKBN-së, rezultoi se deri në datën 30.12.2021 është dhënë për shfrytëzim minerar sipërfaqja 10,851 Ha, për 123 subjekte.

Nga grupi i auditimit të KLSH-së, nga sipërfaqja 10,851 Ha në përdorim të 123 subjekteve, konstatohet se për 111 subjekte, për sipërfaqen 10,798.8 Ha, nga Bashkia Bulqizë nuk është administruar asnjë dokument, nuk është lidhur asnjë kontratë qiraje megjithëse aktiviteti i shfrytëzimit minerar vazhdon të kryhet nga të gjitha subjektet, për sipërfaqen përkatëse në përdorim.

“Drejtoria e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Bulqizë ka informacion vetëm për pagesën e vlerës 22,380,312 lekë. Duke bërë diferencën, rezulton vlera e papaguar 6,344,350,344 lekë, e cila përbën të ardhura të munguara për buxhetin e Bashkisë Bulqizë (6,366,730,656 lekë – 22,380,312 lekë)” thuhet në auditim.

Mungesa e të paktën 54 milionë eurove në buxhetin e një prej bashkive më të varfra në vend që ka në lulëzim kryesisht aktivitetin minerar bëjnë një diferencë të dukshme në mirëqenien dhe shërbimet që i ofrohen komunitetit të saj.

KLSH ka rekomanduar që Drejtoria e Taksave dhe Pronave në Bashkinë Bulqizë, në bashkëpunim me Njësitë Administrative dhe Drejtorinë ligjore dhe të shërbimeve organizative, të marrin masa për të llogaritur dhe kontabilizuar detyrimin total të papaguar dhe të kërkojë në rrugë ligjore arkëtimin e vlerës neto 6,344,350,344 lekë, duke llogaritur dhe shtuar të gjitha kamatëvonesat (sipas normës së interesit të Bankës së Shqipërisë, plus tetë pikë përqindje) dhe sanksionet e tjera përkatëse (nëse ka), për secilin rast, si dhe të nxjerrin njoftim-vlerësimet për detyrimet e papaguara nga qiramarrësit.

Qyteti i Bulqizës, është i ndërtuar në funksion të minierës së kromit duke qenë se rezervat e llogaritura të disponueshme të këtij minerali janë të mëdha. Aktiviteti minerar është gjeneruesi kryesor i punësimit në rajon. /N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor