Vendosni fjalën kyçe....

Media greke u bën jehonë mesazheve të Mitsotakisit në Shqipëri: Mbështetës i vetëvendosjes, grekët e Shqipërisë ruajtën flakën e helenizmit


Media greke i ka bërë jehonë vizitës së kryeministrit grek Mitsotakis në Shqipëri.

Ekathimerini shkruan se vendasit e pritën Mitsotakisin me flanmuj grekë e me thirrjet ‘Hellas, Hellas’ ndërsa kreu i Athinës zyrtare e cilësoi vizitën një moment madhështor për helenizmin.

Media greke shkruan gjithashtu se kreu i qeverisë falënderoi grekët e Shqipërisë që ‘mbajtën të pashuar flakën e helenizmit dhe ortodoksisë në vite të vështira’.

“Është një moment i veçantë për mua, por edhe një moment madhështor për helenizmin kudo. Banorët e Himarës janë një urë miqësie dhe bashkëpunimi mes Greqisë dhe Shqipërisë.” – citon Ekathimerini Mitsotakisin.

Sipas medias greke, Mitsotakis foli gjerësisht për të drejtave e grekëve shqiptarë, të cilat shkelen, dhe i lidhi ato me aspiratat evropiane të Shqipërisë.

“Unë personalisht kam qenë, jam dhe do të mbetem mbështetës i kursit europian të Shqipërisë. Detyrimi i Shqipërisë, në kuadrin e qasjes ndaj Europës, është respektimi i plotë i të drejtave tuaja, pavarësisht nëse i referohemi të drejtës për vetëvendosje, ose i referohemi të drejtës që fëmijët dhe nipërit tuaj të vazhdojnë të mësojnë gjuhën greke në të gjitha nivelet.”

Ai trajtoi gjithashtu çështjen e të drejtave pronësore të grekëve etnikë dhe mbrojtjen e tyre.