Vendosni fjalën kyçe....

Pranga 56-vjeçarit në Kukës, akuzohet se rrahu të bijën


Një 56-vjeçar me iniciale E.P. është arrestuar në Kukës pasi akuzohet se ka dhunuar e kanosur të bijën 19-vjeçare.

Në kërkim është shpallur i biri, i cili ka qëlluar me sende të forta të atin që po i rrihte motrën.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Zall Lusen ndërsa pas kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe një armë zjarri automatik pa leje si dhe një krehër me 30 fishekë.

Njoftimi

“Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në familje në fshatin Lusen. Arrestohet në flagrancë 56-vjeçari që ushtroi dhunë fizike ndaj vajzës së tij.

Shpallet në kërkim djali i tij i mitur, i cili ushtroi dhunë ndaj babait të tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zall Lusen, po ndodhte një konflikt në familjen e shtetasit E. P., menjëherë organizuan operacionin policor të koduar “Lusen”, për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin E. P., 56 vjeç, banues në fshatin Zall Lusen, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Shtetasi E. P. ka ushtruar dhunë fizike dhe ka goditur me mjete të forta vajzën e tij 19 vjeçe, për motive të dobëta. Më pas, djali 17 vjeç ka ndërhyrë dhe e ka goditur me mjete të forta babanë e tij, për të parandaluar dhunën e mëtejshme ndaj motrës.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim 17-vjeçari, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik dhe një karikator me 30 fishekë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.”