Vendosni fjalën kyçe....

Thellohet deficiti tregtar i Kosovës, Serbia ia kalon Shqipërisë


Deficiti tregtar i Kosovës ka shkuar në 401.4 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 361.1 milionë eurosh në vitin 2021. Ky deficit është më i larë për (11.2%) në muajin nëntor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2022.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (11.2%) në muajin nëntor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.4 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 361.1 milionë eurosh në vitin 2021.

Eksporti mbulon importin me 15.6%.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2022 kishte vlerën 73.9 milionë euro, ndërsa importi 475,4 milionë euro, që është një rritje prej 4.6% për eksport dhe 10.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Serbia ia kalon Shqipërisë për importet

Në nëntor 2021, Shqipëria ishte partneri kryesor i Kosovës në rajon për importet, me 6.7% të totalit dhe importet në vlerën 29 milionë euro. Në nëntor 2022, partneri kryesor i rajonit ka kaluar Serbia, me 6.6% të totalit, ose 31.5 milionë euro në vlerë.

Importet nga Shqipëria në Kosovë kanë rënë me 22% në nëntor 2002 në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, ndërsa me Serbinë u rritën me 11% për të njëjtën periudhë.

Turqia është partneri kryesor i Kosovës për importet në nëntor 2022, me 19.3% të totalit, e ndjekur nga Gjermania me 11.5%.

Grupet kryesore

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.2% e përbëjnë produktet minerale; 4.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.6% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 18.4% e përbëjnë produktet minerale; 12.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25.5 milionë euro, ose rreth 34.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.9%), Italia (5.7%), Holanda (4.0%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 204.8 milionë euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.8%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (11.5%), Italia (7.5%), Greqia (4.3%), Sllovenia (3.5%), etj.

Në muajin nëntor 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26.2 milionë euro, ose 35.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (12.7%), Shqipëria (10.6%), Serbia (6.5) dhe Mali i Zi (4.6%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2022, arritën në 86.4 milionë euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.6%), Maqedonia e Veriut (5.0%) dhe Shqipëria (4.7%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.1 milionë Euro, ose 30.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (12.5%), dhe Zvicra (9.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet tjera të botës arritën në 184.0 milionë euro, ose 38.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (19.3%) dhe Kina (8.7%).

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al