Kjo virgjilje Krishtlindjes ka nisur me grevë urie për një përfaqësi të shoqatës së paraplegjikëve në Elbasan.
Grevistët ankohen se u është hequr një pjesë e pagesës së paaftësisë.
Sipas sekretarit të shoqatës së paraplegjikëve, Skënder Sallaku janë rreth 160 persona me aftësi të kufizuara në Elbasan të cilët nuk kanë marrë KEMP-in prej dy muajsh.
Siç raporton BW, Sallaku tha se heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka detyruar të futen në grevë urie.
“Sot jemi katër persona në grevë urie si përfaqësi e këtij grupi që në këtë dimër të acartë do të sakrifikojë edhe jetën derisa të zgjidhet ky problem.”– është shprehur ai.
“Për ne s’ka festë, festa jonë është grevë. Shikojeni vetë, s’kemi bukë të hamë, çfarë festash. Ka dy muaj që është prerë kempi.”– shtoi një tjetër.
Ata janë futur në grevë urie në ambientet e zyrave të shoqatës që ndodhen në Pallatin e Sportit Tomorr Sinani në Elbasan.
Një nga protestuesit tha se nuk vuajnë për gjëra luksoze, por për bukën e gojës: “Na mashtruan gënjyen, tani nuk na ngel gjë tjetër vetëm greva e urisë. I bëj thirrje Kryeministrit ta marrë seriozisht këtë grevë sepse nuk është personale, por është për këta njerëz që janë sot me lot në sy. Nuk vuajnë për gjëra luksoze, por për bukën e gojës.”
Anëtarët e shoqatës së paraplegjikëve në Elbasan kërkojnë shfuqizimin e vendimit të qeverisë që i detyron të shkojnë vazhdimisht për kontroll pranë Kempit Epror, pavarësisht se kanë statusin e invalidit të përhershëm. Po ashtu, ky vendim u kushtëzon edhe ndihmën e paketës higjeno-sanitare.
“Është e padrejtë. Fëmija im është objekt i palëvizshëm. Atje ku e lë atje e gjen. Nëse nuk gjendet rrugëzgjidhje dhe ne do ngordhim këtu ku jemi.”- deklaroi një qytetar ditën e djeshme.