Vendosni fjalën kyçe....

Kurti paralajmëron heqjen e barrikadave në veri: S’mund t’i tolerojmë pafundësisht


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pohuar sot se barrikadat në veri të vendit nuk mund të tolerohen pafundësisht.

Gjatë deklaratës për media, bashkë me ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli, kreu i qeverisë theksoi se KFOR-i i ka kërkuar më shumë kohë për të ndërhyrë me heqjen e barrikadave dhe kjo i është dhënë.

Kurti shtoi se veriu është i bllokuar prej dy javësh tashmë e kjo po pengon lirinë e lëvizjes.

Ai paralajmëroi se pas Krishtlindjeve do ketë një takim me komandantin e KFOR-it për të gjetur një zgjidhje pasi bllokimi në veri s’mund të vijojë pafundësisht.

“E para është që KFOR-i ka kërkuar pak kohë prej neve, ne i kemi dhënë pak kohë, por jemi dëshmitarë që tashmë janë bërë 2 javë. Sot janë bërë 2 javë që janë vendosur barrikada që po pengojnë lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë ka qenë i përkushtuar për të ofruar ambient të sigurtë dhe liri të lëvizjes. Pra, ne u kemi dhënë kohë KFOR-it pasi që e kemi ditur misionin e tyre, për të siguruar lirinë e lëvizjes. Tash nuk kemi liri të lëvizjes, pasi që kemi 12 barrikada. Sot janë Krishtlindjet, por shumë shpejt pas Krishtlindjeve ne do kemi një takim me komandantin e KFOR-it, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht.” – tha Kurti.