Vendosni fjalën kyçe....

Personi që vrau tre emigrantë kurdë në Paris kishte motive raciste – AFP


Personi i armatosur që qëlloi dhe vrau tre persona në kryeqytetin francez, duke lënë katër të tjerë të plagosur, ka rrëfyer në polici se kishte motiv ‘racist’, ka raportuar AFP, duke cituar burime ‘të afërta me rastin’. I dyshuari thuhet se ka një histori të krimeve të dhunshme kundër emigrantëve.

Gazeta e përditshme ‘20 Minutes’, duke cituar një oficer policie të paidentifikuar, pretendoi se vrasësi tha se ‘ai nuk i pëlqente kurdët’ gjatë kohës së arrestimit.

I identifikuar si ‘William M.’ nga mediat franceze, shoferi i trenit 69-vjeçar në pension thuhet se u gjet me një pistoletë ‘Colt 1911’ të prodhimit amerikan, së bashku me ‘dy ose tre karikatorë të mbushur’ dhe një kuti me të paktën 25 gëzhoja.

Sipas burimeve policore dhe gjyqësore të cituara nga AFP, burri besohet të ketë goditur me shpatë të paktën dy persona në një kamp emigrantësh në dhjetor 2021.

Në qershor 2016, ai u dënua për dhunë të armatosur, një vendim të cilin ai e apeloi, sipas agjencisë së lajmeve.

Një vit më vonë, William M. u dënua me gjashtë muaj burg për posedim të paligjshëm të armëve të zjarrit, thanë burimet gjyqësore për AFP.

Burri u lirua nga paraburgimi më 12 dhjetor, në pritje të gjykimit për incidentin e shpatës. Zyra e prokurorit të Parisit tha për mediat se individit i ndalohej të mbante armë dhe të largohej nga Franca.

Duke folur për motivet e të dyshuarit, prokurorja Laure Beccuau tha se hetuesit ‘natyrisht’ do shqyrtojnë nëse racizmi ishte pjesë e motiveve të sulmit të së premtes. Ndërkohë, ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha se William M. ‘po synonte qartazi të huajt’, megjithëse nuk ka asnjë provë deri më tani që ai kishte në shënjestër konkretisht kurdët. Ministri zbuloi gjithashtu se i dyshuari ishte anëtar i një klubi sportiv qittjeje dhe pronar i ‘disa armëve të regjistruara’.

Sipas gazetës ‘Le Monde’, burri u dërgua në spital me lëndime të rënda në fytyrë, të cilat me sa duket i mori gjatë arrestimit.

Ndërkohë, deputetët e krahut të majtë nxituan të drejtojnë gishtin drejt qeverisë franceze për dështimin e supozuar të saj për t’u marrë seriozisht me ekstremizmin e ekstremit të djathtë.

Tragjedia ndodhi në qendër të Parisit pak para mesditës të së premtes.

Mediat franceze, duke cituar dëshmitarë okularë, raportuan se të paktën shtatë të shtëna u qëlluan në lagjen e 10-të, një lagje e famshme për dyqanet, restorantet dhe baret e saj.