Siç është bërë traditë tashmë në çdo virgjilje Krishtlindjesh, kryeministri Edi Rama kryen takime, dreka, darka fundviti, gjithashtu edhe shpërndan dhurata për fëmijët.
Fëmijët që po marrin mjekim në pediatrinë e Tiranës kanë marrë sot dhurata nga kryeministri, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Në Pediatrinë e Tiranës, ku çelet investimi i ri për fazën e dytë të modernizimit të spitalit të fëmijëve në QSUT, dhe për të gëzuar sadopak të vegjlit që në këtë vigjilje Krishtlindjeje, po marrin trajtim, nën kujdesin e stafeve mjekësore.”– shkruan Rama krahas një video nga vizita e tij në Pediatri, ku shfaqet me fëmijë, duke u përqafuar me ta, duke luajtur dhe dhënë dhuratat.
Në fund, Rama ka shkrepur dhe një foto të përbashkët me fëmijët dhe animatorët që ishin gjithashtu të pranishëm për ta bërë më të plotë këtë festë.
Nuk e harrojmë shfaqjen e kryeministrit Edi Rama disa vite më parë, i veshur si “Babagjyshi i Vitit të Ri” te programi i Ardit Gjebresë, “Ka një mesazh për Ty” për të cilën po aq sa u duartrokit, po aq shumë kritika mori duke u akuzuar se po përdor fëmijët për politikë.