Vendosni fjalën kyçe....

Twitter ‘ndihmoi drejtpërdrejt’ fushatat propagandistike të Pentagonit


Drejtuesit e Twitter i kanë dhënë Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së privilegje të veçanta për të përdorur platformën e mediave sociale për fushatat e saj të fshehta të ndikimit në internet për të paktën pesë vjet, tregojnë komunikimet e brendshme të kompanisë së sapo publikuar.

Gazetari investigativ Lee Fang publikoi grupin e tetë të dokumenteve, pasi pronari i ri i kompanisë, Elon Musk, autorizoi publikimin në një përpjekje për të ofruar transparencë në lidhje me vendimmarrjen e kaluar në Twitter.

“Pavarësisht premtimeve për mbylljen e rrjeteve të fshehta të propagandës shtetërore, dokumentet e Twitter tregojnë se gjiganti i mediave sociale ndihmoi drejtpërdrejt operacionet e ndikimit të ushtrisë amerikane”, shkroi Fang. Gazetarit iu lejua të bënte kërkesa për dokumente të brendshme në Twitter përmes një avokati, ‘që do të thotë se rezultatet e kërkimit mund të mos kenë qenë shteruese’.

Marrëveshja e ekspozuar e fshehtë ndodhi të paktën që nga viti 2017, kur Nathaniel Kahler, një zyrtar që punon me Komandën Qendrore të SHBA-së, dërgoi një email në Twitter duke kërkuar verifikimin dhe ‘listën e bardhë’ të disa dhjetëra llogarive në gjuhën arabe që CENTCOM po përdorte ‘për të përforcuar mesazhe të caktuara’.

Po atë ditë, anëtarët e ekipit të integritetit të Twitter përdorën një ‘etiketë të veçantë përjashtimi’ që në thelb u jepte llogarive privilegjet e verifikimit pa një shenjë të dukshme blu.

Ndërsa Pentagoni dyshohet se premtoi të mos e fshehte përkatësinë e tyre, në një moment, të dhënat dhe fotot e profilit të disa prej këtyre llogarive u ndryshuan dhe ata filluan të paraqiteshin si përdorues të zakonshëm ose burime ‘të paanshme’ të opinionit dhe informacionit.

Disa llogari në listë ishin duke reklamuar militantë të mbështetur nga SHBA në Siri dhe propaganda në Irak. Një tjetër u përdor për të justifikuar sulmet me dron të SHBA-së si ‘të sakta’ dhe se ato vranë vetëm terroristë e jo civilë, në Jemen.

“Duket sikur Departamenti i Mbrojtjes po bënte diçka të dyshimtë dhe përfundimisht jo në përputhje me atë që na kishin paraqitur në atë kohë.” – tha një ish-punonjës i Twitter për The Intercept.

Email-e të tjera të marra nga The Intercept treguan se zyrtarët e nivelit të lartë të Twitter, duke përfshirë ish-kreun e politikave të besimit e sigurisë, Yoel Roth, avokaten Stacia Cardille dhe zv.këshilltarin e përgjithshëm Jim Baker, diskutuan marrëveshjen e fshehtë si ‘mundësisht problematike’ në vitet në vijim por lejuan që shumë prej llogarive të mbeten aktive.

Fushata e ndikimit duket se është e lidhur me një operacion në shkallë më të gjerë që shkonte përtej atyre disa dhjetëra llogarive në Twitter dhe në shumë platforma të tjera të internetit, duke përfshirë Facebook, YouTube dhe Telegram, siç u theksua fillimisht nga studiuesit në Graphika dhe Observatori i Internetit i Stanfordit dhe u vërtetua nga një hetim i Washington Post në shtator.

Të kryesuara nga gazetari Matt Taibbi dhe kolegu i tij gazetarja Bari Weiss, dosjet në Twitter janë publikuar në mënyrë të vazhdueshme me bekimin e pronarit të ri të faqes, sipërmarrësit miliarder Elon Musk.

Deri sot, dokumentet kanë hedhur dritë mbi disa vendime të diskutueshme të marra nga kompania, duke përfshirë materialin që lidhet me pezullimin e ish-presidentit Donald Trump, praktikën e ndalimit në fshehtëso si dhe një ndalim në të gjithë faqen të një raport të New York Post për marrëdhëniet e huaja të biznesit dhe historinë e laptopit të Hunter Biden, djalit të presidentit Joe Biden.