Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Jemi gati t’i japim fund luftës por Ukraina nuk pranon të negociojë


Vladimir Putin thotë se Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në luftën në Ukrainë për t’i dhënë fund luftës, por akuzoi Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë se “refuzojnë” për të negociuar.

“Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të gjithë të përfshirët për zgjidhje të pranueshme, por kjo varet nga ata. Nuk jemi ne ata që refuzojmë të negociojmë, ata janë.”- tha presidenti rus për televizionin shtetëror Rossiya 1.

Komentet e tij nuk kanë gjasa të përfaqësojnë një lëvizje reale përpara, pasi duket se Rusia nuk është ende e gatshme të tërheqë trupat e saj nga Ukraina, diçka që Kievi ka thënë se është një parakusht për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve. 

Ai shtoi se Rusia po vepronte në “drejtimin e duhur” në Ukrainë, sepse perëndimi, i udhëhequr nga SHBA, po përpiqej ta ndante Rusinë.

Putin vazhdoi:”Unë besoj se ne po veprojmë në drejtimin e duhur, ne po mbrojmë interesat tona kombëtare, interesat e qytetarëve tanë, popullit tonë. Dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të mbrojmë qytetarët tanë.”

Moska ka këmbëngulur se i ashtuquajturi “operacion i saj special ushtarak” synon të mbrojë njerëzit që flasin rusisht në Ukrainë. 

Megjithatë, Ukraina dhe Perëndimi thonë se qëllimi i pushtimit ishte të merrte kontrollin e vendit.