Vendosni fjalën kyçe....

“Shqipëria humbi një mik të rrallë” – Reagime për ndarjen nga jeta të Franco Frattinit


 

Është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare ish-ministri i Jashtëm i Italisë Franco Frattini.

Sikurse kanë raportuar mediet italiane, Frattini ndërroi jetë në spitalin Gemelli në Romë ku ishte shtruar prej disa kohësh pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.

Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-Presidenti Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Frattinit përmes një postimi në rrjetet sociale.

Meta shkruan se Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin evropian.

“Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perendimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.

Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin europian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!”– shkruan Meta.

Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka reaguar gjithashtu duke e quajtur Frattinin një mik të madh të shqiptarëve.

“Ndahet nga jeta Franko Frattini një mik i madh i Shqipërisë.

Një vdekje krejtësisht e parakohshme e një politikani të shkëlqyer, profesionisti të nivelit shumë të lartë dhe të një njeriu me integritet moral shembullor.”- shkruan ai.

Vasili shton se Frattini bëri gjithshka dhe dha një mbështetje të vyer të paçmuar për liberalizimin e vizave të Shqipërisë, për integrimin europian të vendit tonë si dhe një kontribut të spikatur për forcimin e marëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë.

“Shqipëria humbi një mik e mbështetës të rrallë.”– thotë ai.

Kush është Franco Frattini

Ai ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e fundit të kryesuar nga Silvio Berlusconi, nga viti 2008 deri në vitin 2011.

 Më parë ai kishte qenë shef i diplomacisë italiane (përsëri me Berluskonin) midis viteve 2002 dhe 2004 dhe ministër i funksionit publik në qeverinë e Lamberto Dinit. Ai kishte qenë gjithashtu Komisioner Evropian për Drejtësi dhe Liri nga 2004 deri në 2008 nën presidencën e Josè Manuel Barroso. Në vitin 1996 ai u zgjodh gjithashtu deputet në listat e Forza Italia dhe më pas përsëri në 2008 për PDL.

Që prej 14 Janarit të kaluar, Frattini ishte president i Këshillit të Shtetit.