Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi ndaj komunitetit kurd në Paris, i dyshuari pranon urrejtjen ‘patologjike’ ndaj emigrantëve


Personi i akuzuar për një sulm vdekjeprurës kundër komunitetit kurd në Paris ka pranuar një urrejtje “patologjike” ndaj emigrantëve, thonë prokurorët francezë.

69-vjeçari u tha hetuesve se kishte planifikuar të vriste “të huajt joevropianë” teksa nisi të shtënat e tij të premten, thonë ata.

I dyshuari është dërguar në kujdesin psikiatrik pasi është marrë në pyetje nga policia.

Ai akuzohet se hapi zjarr në një qendër kulturore kurde, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur tre të tjerë.

Burri, shofer treni në pension i quajtur William M., i tha policisë se ishte bërë “depresiv” dhe “kamikaz” pasi shtëpia e tij u grabit në vitin 2016, tha zyra e prokurorit të Parisit të dielën.

Ai pranoi se që atëherë, urrejtja e tij ndaj të huajve ishte “bërë krejtësisht patologjike”, shtoi deklarata.

Aty thuhet se të premten ai fillimisht shkoi në Saint-Denis, një periferi me emigracion të lartë në Parisin verior, me qëllim që të vriste “jo-evropianë” – por gjeti pak njerëz atje.

Më pas ai udhëtoi për në qendrën kurde Ahmet-Kaya në lagjen e 10-të të Parisit, ku kreu sulmin.

Burri e kishte inat atë komunitet sepse milicët kurdë të përfshirë në konfliktin sirian kishin “marrë të burgosur gjatë luftës së tyre kundër Shtetit Islamik në vend që t’i vrisnin”, thonë prokurorët.

Ai u ndalua me dyshimin për vrasje, tentativë vrasjeje dhe veprim me motive raciste.

Ai ka një histori të shkeljeve të ligjit për përdorimin armëve dhe ka dalë pas lirimit me kusht disa ditë para sulmit.

Vitin e kaluar ai u akuzua për dhunë raciste për një sulm me shpatë në një kamp emigrantësh në kryeqytetin francez.