Të paktën gjashtë persona u vranë dhe mijëra u larguan në vend të sigurt pas shirave të dendur dhe përmbytjeve që pasuan, të cilat goditën Filipinet gjatë fundjavës.
Këshilli Kombëtar i Emergjencave tha në një deklaratë se 19 persona janë ende të zhdukur pasi shirat e dendur kanë goditur të paktën pesë rajone të kombit të Azisë Juglindore që përfshijnë 13 provinca.
Shira të dendur u regjistruan në provincat Camarines Sur dhe Misamis Occidental, si dhe në rajonet Visayas Lindore, Bicol dhe Mindanao Veriore.
Agjencia filipinase e motit PAGASA tha se erërat e ftohta e të ngrohta do vazhdojnë të sjellin shira në Visayas, Caraga, Mindanao Veriore, Gadishullin Zamboanga, Basilan, Sulu, Tawi-Tawi dhe Palawan, të cilat ‘mund të shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje dheu’.
Sipas agjencisë së fatkeqësive, përmbytjet prekën mbi 23,700 familje, duke përfshirë më shumë se 100,000 individë.
Rreth 44,700 njerëz u zhvendosën për shkak të shirave dhe përmbytjeve, të cilët tani po qëndrojnë në 27 qendra evakuimi, shtoi ai.