Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një reagim në rrjetet sociale denoncon amnistimin e oligarkëve që ndërtojnë pa leje dhe dënimin e personave të thjeshtë.
Duke sjellë si shembull vendimin e Gjykatës së Elbasanit që ka nxjerrë fajtor një 63-vjeçar të akuzuar për ndërtim pa leje në Skorskë të Prrenjasit.
Blushi thotë se oligarkët dhe klientët e Edi Ramës të cilët janë kapur në flagrancë në qendër të kryeqytetit amnistohen dhe nuk penalizohen, madje shpallen edhe fitues të tenderave.
“Fshati i thellë malor Skroskë ndodhet 2 orë larg Librazhdit, por syri vigjilent i patronazhistëve të Edi Ramës, që nuk sheh kullat pa leje në mes të Tiranës, zbuloi se 63-vjeçari Sami O., baba i 4 fëmijëve të mitur, po rregullonte pa leje banesën e tij.
Ndërkohë që oligarkët dhe klientët e Edi Ramës të kapur në flagrancë në zemër të kryeqytetit në shkelje të ligjit për kate, pallate dhe kulla pa leje amnistohen dhe nuk penalizohen, madje shpallen edhe fitues të tenderave dhjetëra milion euro, prindi i katër vogëlushëve Sami O. nga Skroska dënohet me 8 muaj burg në prag të festave të fundvitit.
Ky është standardi i dyfishtë dhe modeli qeverisës shtypës i Edi Ramës: Favorizim, legalizim, liri dhe pasuri për oligarkët dhe të fortët. Ndëshkim, arrestim, burg dhe mjerim për më të varfërit dhe më të dobtët.
Ky shtet që po degradon përditë në një regjim fashist do të shembet përpara vullnetit të qytetarëve të lirë!”-shkruan Blushi.