Vendosni fjalën kyçe....

Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë: Dhuna në veri e bashkërenduar nga qeveria e Serbisë me grupet kriminale


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka mbledhur Këshillin e Sigurisë ku është diskutuar gjendja në veri të vendit.

Kreu i qeverisë theksoi se dhuna në veri të vendit është bashkërenduar mes qeverisë së Serbisë e grupeve kriminale.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit dhe incidentet e fundit të shkaktuara nga strukturat ilegale dhe grupet kriminale, të koordinuar dhe mbështetura nga Qeveria e Serbisë, e të cilat me të gjitha mjetet në dispozicion po veprojnë kundër Rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.U tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë.” – thuhet në komunikatën për media.

Më tej në komunikatë theksohet se autoritetet e Kosovës kanë qenë në kontakt të ngushtë me KFOR-in mbi gjendjen e krijuar prej 17 ditësh dhe se policia e Kosovës i ka të gjitha aftësitë për t’iu përgjigjur situatës por është në pritje të vendimeve të KFOR-it.

“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës,  institucioneve shtetërore,  ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it. U theksua se brenda këtyre 17 ditëve që nga ngritja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in. Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-i.” – mbyllet deklarata.