Cikloni ‘bombë’ që ka sjellë temperatura të ftohta dhe deri në 2 metra borë në Amerikën e Veriut ka shkaktuar të paktën 50 viktima deri tani në SHBA e Kanada.
SHBA-ja ka regjistruar 46 nga vdekjet dhe katër persona të tjerë vdiqën në prag të Krishtlindjeve pasi një autobus u përmbys në rrugët e akullta në British Columbia, Kanada.
Temperaturat e ulëta lidhen me 18 vdekje në shtetin e Nju Jorkut, veçanërisht në Buffalo ku ajri i ftohtë që lëviz mbi ujërat më të ngrohta të liqenit ka krijuar një ngricë vdekjeprurëse.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochu tha se qyteti Buffalo është si ‘zonë lufte’ dhe se disa njerëz kanë ngecur në makinat e tyre për dy ditë me radhë. Temperaturat ranë deri në -45 gradë Celsius në Montana dhe në Iowa.
Autoritetet druhen se stuhia mund të shkaktojë më shumë viktima duke qenë se shumë persona kanë mbetur të bllokuar në banesa pa mundësi komunikimi e pa energji elektrike, ndërsa e marta pritet të sjellë sërish reshje të dendura bore me parashikimet që flasin për mbi 75 centimetra.
Stuhia detyroi anulimin e gati 3,000 fluturimeve amerikane të dielën, përveç rreth 3,500 fluturimeve të anuluara të shtunën dhe gati 6,000 të premten, sipas faqes së gjurmimit Flightaware.com.