Vendosni fjalën kyçe....

Rusia po planifikon sulm të ri ndaj Ukrainës – Media zviceriane


Rusia ka të ngjarë të kryejë një ofensivë të re në Ukrainë në fillim të vitit të ardhshëm, ka raportuar ‘Neue Zürcher Zeitung’ e Zvicrës.

Gazeta, duke cituar një prognozë të supozuar të brendshme të përgatitur nga Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë, pretendoi se objektivat e Moskës mund të shkojnë nga kapja e gjithë rajonit të Donbasit deri te marrja e kontrollit të Ukrainës në tërësi.

Në shkrimin e saj të premten, media pretendoi se udhëheqja ruse është e vendosur të vazhdojë fushatën e saj ushtarake kundër fqinjit të saj në vitin 2023 dhe në 2024.

Sipas gazetës, kjo prognozë është bërë nga analistët dhe oficerët e inteligjencës të Ministrisë gjermane të Mbrojtjes në një raport të brendshëm, të titulluar ‘Mundësitë ushtarako-strategjike ruse për veprim në luftën e Ukrainës për vitin 2023’.

Sipas ‘Neue Zürcher Zeitung’, prognoza merr në konsideratë dy skenarë.

E para parashikon që Rusia mund të përqendrohet në pushtimin e gjithë rajonit të Donbasit. Kjo ofensivë e supozuar pritet të fillojë në prill 2023, me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko, që pritet të vendosë njëkohësisht trupat e tij pranë kufirit verior të Ukrainës, pohoi gazeta.

Ndërsa forcat e Minskut nuk kanë gjasa të lëvizin në Ukrainë, kjo manovër, sipas shkrimit, do siguronte që Kievi nuk do të ishte në gjendje të përdorte të gjithë ushtrinë e tij për t’u përballur me sulmin rus në Donbas.

Nëse plani i Rusisë do të ishte i suksesshëm, Kremlini do të ndërtonte mbrojtje të fortifikuara në rajon, pretendon media zvicerane. Kjo do të thotë se çdo përpjekje e Ukrainës për të rimarrë Donbasin do çonte në humbje të rënda për Kievin.

Raporti sugjeron që presidenti rus Vladimir Putin në të njëjtën kohë do propozojë bisedime paqeje për vendin fqinj, ndërsa në mënyrë aktive do t’i dërgojë sinjale komunitetit ndërkombëtar dhe medias se Moska është e gatshme për një dialog të tillë. Kjo e fundit me sa duket do çonte në uljen e mbështetjes perëndimore për Kievin.

Skenari i dytë i supozuar, për të cilin gazeta zvicerane pretendon se ka më pak të ngjarë të ndodhë, parashikon plane shumë më ambicioze të Kremlinit: pushtimin e të gjithë Ukrainës. Sipas prognozës së supozuar të ushtrisë gjermane, forcat ruse do godasin në jug nga Donbassi, ndërsa deri në 70,000 trupa bjelloruse do kalonin kufirin ukrainas në veri dhe do marshonin në Kiev.

Ushtria e Moskës supozohet se do synonte të siguronte kufirin e Ukrainës me Poloninë për të ndaluar rrjedhën e armëve perëndimore në vend dhe për të kapur rajonin separatist të Transnistrisë të Moldavisë.

Megjithatë, për ta arritur këtë, Rusia do të duhet të shpallë një mobilizim total. Kjo, megjithatë ‘ka më pak gjasa të ndodhë  për arsye të brendshme politike’, raportohet të kenë supozuar analistët ushtarakë gjermanë të cituar nga ‘Neue Zürcher Zeitung’.

Pavarësisht nga skenari që Moska zgjedh të ndjekë, ajo do vazhdojë të synojë rrjetin elektrik të Ukrainës dhe infrastrukturën jetike në një përpjekje për të ‘lodhur vullnetin e popullit ukrainas për të rezistuar’ dhe për ‘rritur largime të mëtejshme emigrantësh drejt BE-së’, raportoi gazeta, duke cituar prognozën e supozuar të ushtrisë gjermane.