Vendosni fjalën kyçe....

Inflacioni në Japoni arrin nivelin më të lartë në 41 vjet


Inflacioni bazë i çmimeve të konsumit në Japoni u rrit në 3.7% në nëntor, më i larti që ka qenë që nga viti 1981.

Kjo ishte periudha kur një krizë në Lindjen e Mesme ndërpreu prodhimin e naftës dhe bëri që çmimet e energjisë të rriteshin. Por pas dekadash përpjekjeje të vendit për të ulur inflacionin, konsumatorët japonezë po përjetojnë tani krizën e çmimeve më të larta, shkruan BBC.

Deri tani, Banka e Japonisë (BOJ) kishte mbajtur politikën e saj monetare tejet të lirshme për të nxitur ekonominë e saj.

Por në fillim të kësaj jave, ajo befasoi tregun duke rritur kufirin e normës së interesit për obligacionet e saj 10-vjeçare të qeverisë nga 0.25% në 0.5%.

Si rezultat, monedha japoneze është rritur kundrejt dollarit amerikan, duke arritur në 151 jen për 1 dollar për herë të parë që nga viti 1990.

Monedha e dobët ka ndikuar në inflacionin e vendit pasi ka përshpejtuar kostot e larta të importit, të cilat u rritën për shkak të luftës në Ukrainë.

Japonia ka një nga normat më të ulëta të inflacionit në botë dhe ka kundërshtuar trendin e vendeve të tjera të G7 që kanë rritur në mënyrë të përshkallëzuar normat e interesit për të frenuar çmimet në rritje.

Norma vjetore e inflacionit në SHBA është 7.1%, në BE është 11.1% ndërsa në Britani 10.1%.