Vendosni fjalën kyçe....

Ana Brnabiç: Rritja e gatishmërisë luftarake, për të mbrojtur serbët në Kosovë


Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ka komentuar vendimin e presidentit serb për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe.

Në një prononcim për gazetarët, ajo tha se “Serbia është e gatshme të reagojë nëse dikush sulmon serbët në Kosovë”.

Brnabiç akuzoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin se ai kërkon që në Kosovë të mos mbetet më asnjë serb.

“Kurti filloi të kërcënojë viktimat njerëzore, duke hequr barrikadat me dhunë dhe shpresoj që partnerët ndërkombëtarë të kenë sens të mjaftueshëm për të mos lejuar gjëra të tilla”- tha ajo sipas Novosti.

Sipas Brnabiç, serbët po kërkojnë vetëm të drejtat elementare të njeriut, që të mos arrestohen pa prova, të mos keqtrajtohen, të mos rrëmbehen, të kontaktojë avokati me personin e arrestuar, që familjet të mos jenë pa asnjë kontakt me anëtarët e tyre për 14, 15 ditë, të zbatohen marrëveshjet ndërkombëtare, të mos ketë lista sekrete dhe lista arrestimi, dhe që Policia e Kosovës dhe njësitë e saj speciale të tërhiqen nga veriu i Kosovës.

“Nuk është se janë kërkesa të mëdha, por minimale dhe më duket se në shekullin e 21-të as që duhet folur për to. Të mos lejohet që patriarku të vijë të vizitojë Patriarkanën, serbët në Kosovë e Metohi dhe kjo gjatë festave është diçka që aleatët e Kurtit duhet ta tregojnë qartë se çfarë njeriu është dhe si e sheh respektimin e të drejtave të serbëve në Kosova dhe Metohia.” – citohet të ketë thënë kryeministrja serbe.

Sipas saj, Kurti ka ambicie të provokojë konflikte të armatosura, por “është e papranueshme të kërcënosh me heqjen e barrikadave me forcë”.