Kryetarja e PL-së në Durrës, Kontjana Kuçi ka denoncuar projektin për ndërtimin e portit të ri të qytetit bregdetar.
Në një deklaratë për mediet, Kuçi tha se afera e Portit të Durrësit është “ngjarja më e rëndë” që ka goditur jo vetëm qytetarët e të gjithë qarkut të Durrësit, por dhe të gjithë Shqipërinë.
Sipas saj, pushtetit vendor në Durrës i janë grabitur 231 milionë euro.
Me çfarë morali Kryetarja e bashkisë dhe këshilltarët do të dalin përpara qytetarëve durrsakë kur kanë shitur çdo interes të tyre dhe i janë nënshtruar aferës mafioze të Edi Ramës.
“Me marrëveshjen e miratuar në Parlament, Bashkisë së Durrësit i grabiten plot 231 milionë euro për arsyen se Edi Rama dhe rilindja kanë vendosur t’i falin investitorëve anonimë të off shorëve taksën e infrastrukturës(objekte për shitje) prej 8% si dhe taksën e strehimit prej 3%.
Përkatësisht, efekti taksës prej 8% për objektet për shitje i llogaritur për investimin prej 2.1 miliard është 168 milionë euro.”– thotë Kuçi ndërsa shton se as kryetari bashkisë dhe as këshilltarët nuk kanë reaguar dhe pyet se me çfarë morali do dalin të kërkojnë vota para qytetarëve në zgjedhjet lokale.
DEKLARATA E PLOTË E KUÇIT
Përshëndetje!
Të nderuar qytetarë, afera e Portit të Durrësit është ngjarja më e rëndë që ka goditur jo vetëm qytetarët e të gjithë qarkut të Durrësit por dhe të gjithë Shqipërinë.
Kjo aferë godet në mënyrë shkatërrimtare jo vetëm interesat e qytetarëve por dhe të gjithë të ardhmen ekonomike të qytetit.
Shkeljet e ligjit janë nga më të rëndat që mund të jenë parë ndonjëherë.
Sot mund të thuhet me gojën plot që Durrësi nuk ka pushtet lokal, pasi Kryetarja dhe këshilltarët bashkiakë rilindas janë kthyer në një zgjatim të qeverisë dhe nuk mbrojnë asnjë interes të qytetit dhe qytetarëve.
Me marrëveshjen e miratuar në Parlament, Bashkisë së Durrësit i grabiten plot 231 milionë euro për arsyen se Edi Rama dhe rilindja kanë vendosur t’i falin investitorëve anonimë të off shorëve taksën e infrastrukturës(objekte për shitje) prej 8% si dhe taksën e strehimit prej 3%.
Përkatësisht, efekti taksës prej 8% për objektet për shitje i llogaritur për investimin prej 2.1 miliard është 168 milionë euro.
Ndërsa, efekti i aplikimit të taksës së strehimit prej 3% shkon në masën 63 milionë euro, pra efekti ne total është dy taksave 231 milioën euro.
E gjithë kjo shumë do të duhej t’i kompensohej deri në qindarkën e fundit pushtetit lokal në zbatim të nenit 6 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, i cili thotë: ‘Për përjashtimet nga taksat vendore, pushteti vendor do të kompensohet për efekte financiare nga buxheti i shtetit’.
Pra, pushtetit vendor në Durrës i janë grabitur 231 milionë euro dhe as kryetari bashkisë dhe as këshilltarët nuk kanë reaguar ndërkohë që kaq miliona të grabitura nga taksat janë gati investimet që pushteti lokal do të bënte për 25 vjet.
Me çfarë morali Kryetarja e bashkisë dhe këshilltarët do të dalin përpara qytetarëve durrsakë kur kanë shitur çdo interes të tyre dhe i janë nënshtruar aferës mafioze të Edi Ramës.
Të gjithë kanë sy dhe shikojnë se si ndërkohë që miliona euro grabiten nga taksat e qytetarëve Durrsakë nga ana tjetër shiten apartamente në ajër në mënyrë totalisht të paligjshme dhe që janë thjesht dhe vetëm për të justifikuar dhe mbuluar aferën që do të lërë Durrësin dhe Shqipërinë pa portin më të rëndësishëm të vendit që është në të njëjtën kohë edhe një burim ekonomik i pazëvendësueshëm për të sotmen dhe të ardhmen e qytetit.
Është koha t’u japim përgjigjen që meritojnë këtyre grabitqarëve dhe hajdutëve që nuk ndalen para asgjëje për të mbushur xhepat e tyre.
Faleminderit!