Numri i të vdekurve nga vala e trazirave që ka përfshirë Perunë këtë muaj u rrit në 28 gjatë javës së kaluar, tha të martën Avokati i Popullit.
“Vdekje: 22 civilë vdiqën në përleshje, gjashtë civilë në aksidente trafiku si rezultat i ngjarjeve që lidhen me masat bllokuese.” – tha në një raport zyra e Avokatit të Popullit në Peru.
Përveç kësaj, raporti tregon se 661 persona, përfshirë 371 civilë dhe 290 policë, u plagosën gjatë trazirave.
Protestat kundër qeverisë së përkohshme filluan të zhvillohen në të gjithë Perunë pas shkarkimit dhe arrestimit të ish-presidentit të vendit, Pedro Castillo më 7 dhjetor, pasi ai u përpoq të shpërndante parlamentin.
Demonstruesit bëjnë thirrje për zgjedhje të menjëhershme presidenciale dhe shpërndarjen e parlamentit të vendit. Kryeministrja Dina Boluarte bëri betimin si presidentja e re e vendit brenda dy orëve nga arrestimi i Castillo-s, duke u zotuar se do e kryente si duhet detyrën deri në përfundim të mandatit që kishte Castillo, korrik 2026.
Pas protestave, Boluarte propozoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale në vitin 2024. Në të njëjtën kohë, ajo nuk përjashtoi mundësinë e ricaktimit të zgjedhjeve në dhjetor 2023.