Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në Kosovë/ Serbia vë trupat në “gatishmëri të plotë luftarake”


Gazeta “The Times” raporton se Serbia ka vendosur trupat në “nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake” pasi tensionet u rritën përgjatë kufirit me Kosovën dhe paqeruajtësit e NATO-s u vunë nën zjarr nga armët e vogla.

Ministri i mbrojtjes i Serbisë, Milos Vuçeviç, tha se me urdhër të presidentit, ushtria ishte në “nivelin e përdorimit të forcës së armatosur”.

Në veri të Kosovës sot po ngriheshin postblloqe dhe barrikada, sipas fotografive të publikuara nga banorët.

Serbia filloi ndërtimin e pranisë së saj ushtarake në zonë që nga e diela kur Milan Mojsiloviç, shefi i shtabit të saj të përgjithshëm, u dërgua në kufi. Vuçeviç tha se forcat e tij speciale po rriteshin nga 1,500 në 5,000.

Kanë dalë raportime për të shtëna me armë dhe sulme sporadike ndaj gazetarëve.

Ministria e Mbrojtjes e Letonisë konfirmoi se trupat e saj të vendosura në vend si pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s ishin qëlluar në ditën e Krishtlindjes.

“Të dielën, më 25 dhjetor, u qëlluan në drejtim të paqeruajtësve letonezë teksa po kryenin një patrullë vendase në Kosovë.”– thuhet në një deklaratë, duke shtuar se askush nuk është lënduar dhe se është hapur një hetim.

Qendresa Bellagoshi, reportere e televizionit kosovar dhe Elsad Sinani, shofer, morën trajtim mjekësor pasi vetura e tyre u sulmua me gurë në veri të Kosovës nga serbët. Bashkimi Evropian e dënoi incidentin, duke thënë: “Ky dhe incidentet e mëparshme që prekin punën e mediave janë të papranueshme”.

Këtë muaj Serbia kërkoi kthimin e trupave të saj në komunat me shumicë serbe të Kosovës, duke rritur praninë e tyre nga 100 në 1,000 ndërsa pretendonte se misionet paqeruajtëse ekzistuese të BE-së dhe NATO-s kishin dështuar në mbrojtjen e pakicës serbe të Kosovës. Rreth 4,000 trupa të NATO-s janë të stacionuara në rajon.