Kievi ka propozuar mbajtjen e të ashtuquajturit ‘samiti i paqes’ deri në fund të shkurtit për të shënuar përvjetorin e sulmit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Nisma u njoftua nga ministri i Jashtëm Dmitry Kuleba, i cili gjithashtu përcaktoi kushtet e Ukrainës për të ftuar Moskën në këtë ngjarje.
Në një intervistë me AP të botuar të hënën, Kuleba pranoi se ndërsa Ukraina do bëjë gjithçka që mundet për të fituar konfliktin e saj të vazhdueshëm ushtarak me Rusinë në vitin 2023, diplomacia do luajë një rol të rëndësishëm.
“Çdo luftë përfundon në mënyrë diplomatike”, tha Kuleba, duke shtuar se ‘çdo luftë përfundon si rezultat i veprimeve të ndërmarra në fushën e betejës dhe në tryezën e bisedimeve’.
Ministri shtoi se OKB-ja ishte ‘vendi më i mirë për mbajtjen e këtij samiti, sepse nuk bëhet fjalë për t’i bërë një favor një vendi të caktuar’ dhe sugjeroi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres si ndërmjetës për ngjarjen.
“Ai e ka dëshmuar veten se është një ndërmjetës efikas, dhe më e rëndësishmja, si një njeri me parime dhe integritet. Kështu që ne do mirëpresim pjesëmarrjen e tij aktive,” tha Kuleba për Guterres.
I pyetur për çështjen e ftesës së Rusisë në këtë ‘samit të paqes’, Kuleba këmbënguli se Moska duhet së pari të përballet me një ‘gjykatë ndërkombëtare’ dhe të ndiqet penalisht për krime lufte. Ai hodhi poshtë gjithashtu thirrjet e fundit të Putinit për bisedime, duke deklaruar se gjithçka që bën Rusia në fushën e betejës ‘dëshmon’ se Moska nuk dëshiron të flasë.
Në fillim të këtij muaji, presidenti ukrainas Vladimir Zelensky iu drejtua udhëheqësve të G20-ës në Indonezi dhe paraqiti një ‘formulë paqeje’ me dhjetë pika, e cila përfshin rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës, tërheqjen e trupave ruse, një shkëmbim të të burgosurve dhe një gjykatë për ata që Kievi akuzon për agresion.
Rusia, ndërkohë, ka këmbëngulur se Kievi duhet të ‘njohë të vërtetën në terren’ si një parakusht për çdo bisedim paqeje, duke përfshirë statusin e ri të Donetsk, Lugansk, Kherson dhe Zaporozhye si pjesë të Rusisë.