Federata e Futbollit e Ukrainës (UAF) i ka bërë thirrje UEFA-s që të ‘sqarojë’ raportet e fundit se organi qeverisës i futbollit evropian ishte i përfshirë në planet për të organizuar një turne të të rinjve në Rusi.
Duke cituar burime, media ruse RBK raportoi të enjten se Unioni Rus i Futbollit (RFU) dhe UEFA kishin rënë dakord për të organizuar një ngjarje ndërkombëtare futbollistike për të rinjtë në Volgograd në maj të vitit të ardhshëm.
Duke ndarë një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, Theodore Theodoridis, UAF kërkoi një shpjegim në lidhje me raportet, me shpresën se ato ishin ‘të rreme’.
“Ne ishim veçanërisht të shqetësuar nga lajmet e fundit se Rusia do presë një turne futbolli midis ekipeve kombëtare të të rinjve nën kujdesin e UEFA-s.” – thuhej në mesazhin e shpërndarë në faqen e internetit të UAF.
“Nëse deklarata nga RFU është e vërtetë, ky turne do të jetë gara e e parë ndërkombëtare e mbajtur në vendin agresor që nga fillimi i luftës në Ukrainë.” – thuhet më tej.
UAF shtoi se do e konsideronte turneun si ‘një shkelje të sanksioneve të vendosura me të drejtë nga FIFA dhe UEFA ndaj Rusisë’.
UEFA dhe organi global qeverisës FIFA njoftuan fillimisht një ndalim të të gjitha ekipeve ruse nga garat e tyre në fund të shkurtit, pas një rekomandimi nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
Zyrtarët e futbollit rus kanë dështuar deri tani në përpjekjet e tyre për të shfuqizuar sanksionet, duke humbur një apel në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Zvicër.
Sanksionet kanë bërë që RFU të diskutojë zyrtarisht mundësinë e largimit nga UEFA për t’iu bashkuar ekuivalentit të saj aziatik, AFC, me një vendim që mund të merret para fundit të vitit.