Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Jemi duke bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin


Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka folur për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, pasi vendosi në gatishmëri trupat serbe.

Siç shkruan REL, pas takimit me Patriarkun Porfirije, Vuçiç tha para gazetarëve se janë duke folur “me të gjithë” dhe janë duke “bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për të gjetur një zgjidhje kompromisi.

Por nuk foli për arsyet e ngritjes së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

Vuçiç ngriti pyetjen se “kë shqetësojnë barrikadat në veri të Kosovës, kur askush nuk kalon nëpër ato rrugë, përveç serbëve, të cilët i përkrahin barrikadat si formë proteste dhe luftojnë për të drejtat dhe jetën e tyre”.

Ai shtoi: “Pse dikush në mënyrë histerike insiston në heqjen e barrikadave, sepse është e nevojshme që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, sepse vetëm kështu e shohin zgjidhjen e problemit, si shqiptarët në Prishtinë ashtu edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar.”