Ish-drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë Tiranë, Viola Sterjo, është arrestuar pasi ishte shpallur në kërkim.
Ajo është ndaluar në Korçë pasi akuzohet për mashtrim.
Sipas policisë, 39-vjeçarja dyshohet se në periudhën mars-nëntor 2020 ka përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga qytetarët në Korçë, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde nga shteti.
Njoftimi
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit në DVP Tiranë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë për ndalimin e shtetases V. S., 39 vjeçe, banuese në Tiranë. Ndalimi i saj u bë pasi, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin e datës 26.12.2022, ka caktuar për këtë shtetase masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda. Nga hetimet e kryera rezulton se në periudhën mars-nëntor 2020, nëpërmjet mashtrimit, V. S., dyshohet se ka përfituar në qytetin e Korçës, një shumë të konsiderueshme monetare, me qëllim ndikimin e saj në institucione shtetërore, që qytetarë të ndryshëm të përfitonin fonde monetare nga shteti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.” – njofton policia.