Vendimi i Prokurorisë së Posaçme për të mos nisur hetimet ndaj kallëzimit të depozituar nga gazetari Adriatik Doçi me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe fshehjes së provave për dy prokurorët Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, citon një mori nenesh e ligjesh mbi të cilat funksionon SPAK-u.
Megjithatë, asnjë referim ligjor e rregullator nuk justifikon dy prokurorët përballë vendimit të tyre për të mos përfshirë në dosjen e inceneratorit të Elbasanit faturat që ngrenë dyshime të arsyeshme se Arben Ahmetaj ka përfituar para nga Klodian Zoto në të paktën gjashtë raste.
Në asnjë citim e referim ligjor të dokumentit të hartuar nga prokurori i posaçëm, Alfred Shehu nuk jepet përgjigje se pse këto prova nuk janë përfshirë në dosje nga ana e dy prokurorëve, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi.
Për ta justifikuar mospërfshirjen e tyre, vendimi braktis logjikën e thjeshtuar juridike dhe hynë në terma socio-psikologjikë. Si shembull, në një nga pikat e vendimit përdoret një gjuhë e tejzgjatur dhe përsëritëse për të treguar se prokurori posaçëm është zot i dosjes së vet, por pa treguar për asnjë moment nëse gjatë hetimeve prokurorët Braho e Nakuçi kanë përdorur dy standarde në vlerësimin e provave.
Njëri standard është ai që pagesat e gjetura në kompjuterin e Klodian Zotos janë përfshirë në dosje, ndërsa standarti i dytë, ai që indiciet që të çojnë te pagesat e Zotos për Arben Ahmetajn nuk janë marrë parasysh.
Në vend të argumentimit ligjor se pse nuk janë përfshirë dokumentet që tregojnë përfitimet e Ahmetajt nga inceneratorët, vendimi për mosfillimin e ndjekjes penale të dy prokurorëve Braho e Nakuçi flet për ‘bindjen e brendshme’ të prokurorëve në pikën 4.3.12.
Pika shtjellon se çfarë do të thotë bindje e brendshme, duke shpjeguar se ajo ‘është ndjenja që formohet te organi procedues, në këtë rast te dy prokurorët Braho e Nakuçi për saktësinë dhe mjaftueshmërinë e provave’.
E thënë më thjesht, mospërfshirja e provave që implikojnë Arben Ahmetajn me inceneratorët justifikohet me ‘bindjen e brendshme të dy prokurorëve’ dhe jo me vlerësimin nëse provat në fjalë janë me vlerë për hetimin apo jo.
Në të njëjtën pikë, alibia që ngrihet në mbrojtje të dy prokurorëve lidhet me dyshimet se këto prova mund të mos jenë të vërteta. Në lidhje me vërtetësinë, prokurorët Braho e Nakuçi si rregull duhej t’i verifikonin në pajisjet elektronike të sekuestruara të Klodian Zotos. A është bërë ky verifikim? Nga denoncimi i gazetarit Adriatik Doçi kuptohet që po, por thjesht dokumentet që përfshijnë Arben Ahmetajn janë lënë jashtë dosjes, ndryshe nga sa është vepruar me emrat e tjerë të çështjes.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Top Channel