Gjykata e Apelit ka rrëzuar ankimimin e 31-vjeçarit Gert Shehu, i cili goditi me grusht kreun e PD-së Sali Berisha gjatë protestës së opozitës më 6 dhjetor.
Kështu Gert Shehu do duhet të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Sipas BW, gjatë seancës gjyqësore 31-vjeçari ka thënë se “dua të iki në shtëpi se jam djalë i vetëm dhe dua të marr ilaçet për mjekim”.
Avokatët e 31-vjeçarit kishin kërkuar masë më të lehtë sigurie dhe shtrim të përkohshëm në një institucion psikiatrik, me argumentin se Gert Shehu vuan nga çrregullime mendore.
Që kur Shehu u arrestua ditën e protestës, doli një dokument mjekësor sipas të cilit vërtetohej se mund të kishte probleme mendore, por duke mos qenë konform ligjit, prokuroria ka kërkuar një tjetër ekspertizë.
VENDIMI
Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim G.SH, i dyshuar për kryerjen e veprës penale te “Goditje per shkak te detyres”, parashikuar nga neni 237/2 i Kodit Penal.
Fakt që lidhet me ngjarjen e ndodhur më datë 06.12.2022, rreth orës 12:25, në momentet kur disa parti opozitare, po organizoheshin për zhvillimin e një tubimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë kohës që nga selia e subjektit politik “Partia Demokratike”, ka dalë zoti Sali Berisha, deputet i kuvendit të Republikës së Shqipërisë së bashku me simpatizantë dhe mbështetës së kësaj force politike dhe kanë filluar lëvizjen përgjatë bulevardit “Zhan D’Ark”, në drejtim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, (ish-hotel Dajti), një person i identifikuar me pas si G.Sh., është futur nëpërmjet grupit të kameramanëve dhe fotoreporterëve që po filmonin marshimin dhe ka qëlluar pa paralajmërim me grusht në fytyrë z. Berisha.
Me vendimin nr. 2508 Akti, datë 09.12.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
– Vlerësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë të personit nën hetim G.SH.
– Caktimin e masës se sigurimit “Arrest ne burg” parashikuar nga Neni 238 i Kodit Procedurës Penale personal ndaj personit nen hetim G.SH.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim G.SH., i cili kërkoi ndryshimin e vendimit caktimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi” ose shtrimin e përkohshëm në një spital psikiatrik.
Në vijim, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Relatore Gjyqtare znj. Elona Toro, me vendimin datë 28.12.2022 vendosi:
– Miratimin e Vendimit Nr.2508 akti, date 09.12.2022 te Gjykates se Rrethit Gjyqesor Tirane.