Vendosni fjalën kyçe....

Haradinaj për tensionet në Veri: Situata mund të dalë jashtë kontrollit, Washingtoni të ndërhyjë


Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë thirrje për ndërhyrjen e SHBA-ve për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve të krijuara në veri të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, Haradinaj tha se situata është kritike dhe mund të përshkallëzohej dhe të dilte jashtë kontrollit.

Po ashtu ai i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti, që të sillej në përputhje me situatën e krijuar dhe të mos bënte retorika boshe.

“Skenari i regjimit pro-rus të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, po hyn në një fazë kritike. Mbyllja e pikave kufitare njëra pas tjetrës, sulmet e grupeve kriminale të sponzorizuara nga Serbia, ndaj qytetarëve, gazetarëve, Policisë, Eulexit e pjesëtarëve të KFOR-it dhe kujtdo tjetër që e kundërshton këtë skenar ogurzi, kanë marrë përmasa shqetësuese.

Gjendja mund të përshkallëzojë dhe të dalë krejtësisht jashtë kontrollit. Prandaj në një situatë të tillë, është urgjente që Kosova të mobilizojë gjithë potencialin e vet politik, diplomatik, intelektual e të sigurisë në përballje me këtë rrezik të madh.

I bëj thirrje Kryeministrit që të sillet në përputhje me situatën e krijuar! Serbia nuk zbrapset me retorika boshe luftënxitëse e as me ‘trimat e rrjeteve sociale’.

Gjendja është e rëndë dhe kërkon maturi e koordinim, jo vetëm me faktorin e brendshëm por edhe me partnerët ndërkombëtarë. Njëkohësisht, lus partnerët e sigurisë, posaçërisht Washingtonin, që ta marrin nën kontroll situatën në veri dhe ta ndalin përshkallëzimin e mëtejmë, i cili paraqet rrezik edhe për paqen në rajon!”- shkruan Haradinaj.