Ministrja e Financave Ibrahimaj tha sot se Shqipëria ka pasur një rritje të mirë ekonomike për tremujorin e tretë të vitit 2022 ndërsa shprehu pritshmërinë se ecuria pritet të jetë e mirë edhe për pjesën e fundit të vitit.
Në një konferencë për mediat, ajo deklaroi se Shqipëria ka rritjen më të lartë ekonomikë në rajon.
“Viti ka qenë një vit që ka shfaqur ecuri pozitive ekonomike dhe shifrat e INSTAT e tregojnë këtë. Për tremujorin e tretë shifrat e rritjes ekonomike tregojnë se rritja ekonomike ishte 4.02%, duke e çuar rritjen nëntë mujorit në 4.23%. Këto rritje janë reale të ekonomisë janë të zhveshura nga rritja e çmimeve. Pritshmëria jonë për mbylljen e vitit 2022 vijon të mbetet në 3.7% dhe ecuria e tremujorit të 4-të e mbështet këtë rritje ekonomike. Në Shqipëri është shfaqur me një rritje 4% e cila është dhe rritja më e lartë në rajon, Kosova është rritur me 2.7%, Maqedonia e Veriut me 2%, Mali i Zi me 2.8% dhe Serbia me 1%.” – tha Ibrahimaj.
Ajo sqaroi më tej se ndikim kryesor në rritjen ekonomike ka pasur sektori i bujqësisë, ndërtimi dhe tregtia me shumicë.
“Sa i takon analizës sipas sektorëve rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. Rritje ka pasur bujqësia, blegtoria e ndërtimi 10.66%. Edhe tregtia më shumicë ka pasur ecuri pozitive. Industria ka shënuar rënie dhe kontribut negativ në rritje. Në këtë kontribut ka ndikuar industria nxjerrëse. Industria përpunuese, fasonët apo prodhimet e drurit kanë kontribuar me rritje në këtë sector” – shtoi Ibrahimaj.