Vendosni fjalën kyçe....

Pritshmëritë për 2023-shin/ Petrit Vasili: Do përmbyset pushteti


Nënkryetari i PL-së, Petrit Vasili, ka paralajmëruar denoncime të reja në vitin e ardhshëm për aferat e qeverisë.

Në një intervistë për “Panorama Tv”, ai kujtoi denoncimet që PL ka bërë përgjatë vitit.

“Ne nuk kemi reshtur. Ju e dini që unë kam denoncuar dhe vetë personalisht, Partia e Lirisë sigurisht shumë më gjerë. Zoti Meta vetë, ka denoncuar çështje shumë të rëndësishme.

Të gjithë bashkë ne kemi denoncuar aferën e inceneratorëve, portit të Durrësit. Po marr çështje të mëdha madhore, shumë histori korruptive të pushtetit lokal. Patjetër një pafundësi momentesh të një korrupsioni galopant të pushtetit qendror. Duke filluar nga shpërdorimet me infrastrukturën, deri shërbimet minimale dhe njëkohësisht kuptohet në mënyrë të veçantë korrupsionin dhe degradimin në Bashkinë e Tiranës. Nuk kemi hezituar t’i depozitojmë dhe në SPAK e gjithkund. Pra, u kemi treguar shqiptarëve që të vërtetën do t’ua themi në sy. Dhe nuk na kushtëzon kurrkush, as na mban njeri peng, as nuk na tërheq njeri prej xhakete, as i kemi mbetur borxh njeriu dhe kemi mbetur peng i një borxhi, por borxhin ua kemi vetëm qytetarëve.

Çdo e vërtetë është sikurse ajo zbulohet, pra, një e vërtetë që është e vërtetë dhe jo të stisura. Ne kemi bërë këtë gjë, jo vetëm denoncime. E kemi bërë dhe në sallën e Parlamentit.”– tha ai.

Ndërsa i pyetur për pritshmëritë që ka për vitin 2023, sipas tij janë që të rrëzojnë pushtetin e Edi Ramës.

“Absolutisht përmbysjen e këtij pushteti, nuk do të thotë thjesht fitore e opozitës. Do të thotë rivendosje e shtetit. Në radhë të parë ligjor, pasi ne jemi përballur në mënyrë të drejtpërdrejtë si qytetar në radhë të parë, me padrejtësi, me të cilat është demonstruar qartë që shteti ligjor ka rënë. Keni parë se si rrëmbehen pronat, po them themeli. Pasi diferenca që bëjnë regjimet nga njëritjetri, është qëndrimi ndaj pronës.”- tha Vasili i cili foli gjithashtu për një formatim të opozitës.