Kompania shqiptare e fluturimeve “Air Albania” ka reaguar zyrtarisht lidhur me ndarjen nga jeta në mënyrë të papritur të stjuardesës 24-vjeçare, Greta Dyrmishi.
Siç bën me dije “Air Albania”, ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor. Dyrmishi thuhet se ka pësuar një atak kardiak dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ajo s’ka mundur dot të mbijetojë. Kompania thotë se ka kontaktuar me familjen e të resë që në momentet e para dhe vazhdon t’i qëndrojë pranë në këtë moment të vështirë.
“Më 21 Dhjetor, pasi zbritëm të gjithë udhëtarët e fluturimit drejt Londrës, një nga anëtarët e ekipit të kabinës, Greta Dyrmishi pësoi atak kardiak.
Edhe pas të gjithë asistencës mjekësore të ofruar në moment, ne përsëri e humbëm.
Air Albania ka kontaktuar familjen e saj që në momentet e para dhe vazhdojmë të jemi pranë tyre në këto momente të vështira.
Në respekt të Gretës dhe familjes së saj, ne vendosëm ta ndajmë lajmin me publikun në momentin më të përshtatshëm.
Ne do ta kujtojmë gjithmonë Gretën si një profesioniste të pasionuar, një bashkëpunëtore të shkëlqyer dhe mikeshë shumë të mirë të të gjithëve ne.
Me besimin se ajo sot gjendet mes mëshirës së Zotit, Air Albania do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë familjes.”– thotë kompania në një njoftim.
Lajmi për ndarjen nga jeta të stjuardesës që u ndje keq gjatë fluturimit u bë me dije nga mediat britanike. Mediet britanike raportuan se 24-vjeçarja ishte rrëzuar pasi kishte humbur ndjenjat dhe më pas humbi jetën kur aeroplani kishte mbërritur në Aeroportin Stansted në Angli.