Vendosni fjalën kyçe....

Arrestimi i zyrtares së AKSHI-t/ Silva Caka: 4 herë e përfshirë në aktivitete kriminale, po SHÇBA-ja çfarë bënte ndërkohë


Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka reaguar lidhur me arrestimin e zyrtares së AKSHI-t këtë të enjte, e cila u kap me 58 kg kanabis në makinë.

Caka thekson se edhe pse Fero mund të figurojë si specialiste e AKSHI-it, aktivitetin e përditshëm të punës e kishte në Ministrinë e Brendshme pasi kështu u prezantohej kontrollit doganor.

Caka pyet se si mund të presim hetim të plotë të krimit, kur janë pikërisht punonjësit e Ministrisë së Brendshme që garantojnë mbarëvajtjen e aktivitetit kriminal.

“Erisa Fero mund të figurojë si specialiste e AKSHI-t (bazuar në sistemin e centralizuar të IT-ve të institucioneve, të cilët emërohen dhe shkarkohen nga AKSHI), por qendrën dhe aktivitetin e përditshëm të punës e ka në Ministrinë e Brendshme; ose të paktën kështu është prezantuar në kontrollin doganor.

Ka qenë pikërisht emri i kësaj Ministrie, që e ka bërë Erisën, shumë shoqe të Erisës apo edhe Habilajt dikur që lëviznin me makinën personale të Ministrit, që t’i shpëtojnë kontrolleve në portat doganore.

Si mund të presim hetim të plotë të krimit, kur janë vetë punonjësit e Ministrisë së Brendshme apo Policisë së Shtetit ata që garantojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve kriminale?

Erisa ishte përfshirë 4 herë në aktivitete kriminale, por mburoja e punonjëses së Ministrisë së Brendshme e ruante nga cdo kontroll. Po SHÇBA-ja cfarë bënte ndërkohë???

Erisa ka qenë anëtare e një KZAZ-je, çka me siguri i ka siguruar asaj edhe vendin e punës e ndoshta është edhe patronazhistë…

Por në fund të ditës Erisa nuk është 100% fajtore; ajo thjesht ka zbatuar devizën e Ministrit të saj: pa krim nuk ka zhvillim.

Kjo është administrata e Ramës; këta janë Ministrat, këta do jenë dhe vartësit.”– shkruan Caka.

Këtë të enjte, Erisa Fero u kap me 58 kilogram kanabis në makinë. Ajo rezulton shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). 

Lënda narkotike raportohet se vinte nga zona Tirana, ku të implikuar kanë qenë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.

Fero shoqërohej nga Likmend Basha, djali i një biznesmeni nga Fushë-Kruja dhe me një 17-vjeçar me inicialet M.K.

28-vjeçarja ishte anëtare e Partisë Socialiste dhe pjesë e komisionit të numërimit të votave në vitin 2021. Në atë kohë ajo është kallëzuar në prokurori për manipulim të votave.