Pelé, ikona e futbollit brazilian që solli tri herë trofeun e Kupës së Botës në vendin e tij, ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare.
Lajmi u njoftua nga e bija, Kely Nascimento, në Instagram. Shëndeti i Pelé ishte përkeqësuar kohët e fundit. Mjekët në spitalin ‘Albert Einstein’ në Sao Paulo thanë në fund të dhjetorit se ai po merrte ‘trajtim intensiv’ në lidhje me ‘mosfunksionimet e veshkave dhe zemrës’ që rrjedhin nga kanceri me të cilin gjiganti i futbollit kishte luftuar për më shumë se një vit. Ai gjithashtu kishte një infeksion në rrugët e frymëmarrjes.
Ai dhe ylli argjentinas Diego Maradona, i cili ishte më i ri se Pelé dhe luajti pasi braziliani vari këpuocët në gozhdë, janë diskutuar shpesh si lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Pavarësisht konkurrencës, të dy krijuan një miqësi përpara se Maradona të vdiste në vitin 2020, pas vitesh të tëra përçarjesh e grindjesh.
“Dua të falënderoj Pelé-në. Ne e dimë se kush është dhe kush do jetë gjithmonë. Ne kemi nevojë për ikona si ai”, tha Maradona në një ndeshje miqësore në vitin 2016.
Pelé, emri i të cilit është Edson Arantes do Nascimento lindi më 23 tetor 1940. Ai iu bashkua klubit të futbollit Santos në Brazil në vitin 1956 në moshën 15-vjeçare si sulmues. Klubi fitoi kampionatet e ligës Sao Paulo në vitet 1962 e 1963, Kupën Libertadores dhe Kupën Ndërkontinentale të Klubeve.
Pelé e bëri debutimin ndërkombëtar vetëm një vit pasi u bashkua me Santos, në 1957, dhe luajti në Kupën e Botës vitin e ardhshëm në moshën 17-vjeçare si lojtari më i ri ndonjëherë.
Pasi shpërtheu në skenën botërore dhe mahniti me aftësinë e tij për të shënuar gola mbresëlënës, Brazili deklaroi se Pelé ishte një ‘thesar kombëtar’, një veprim për të parandaluar që ai të rrëmbehej nga ekipet më të pasura evropiane. Pelé u dëmtua në Botërorin e radhës në vitin 1962 dhe iu desh të dilte jashtë pas ndeshjes së dytë, por kombëtarja braziliane e fitoi turneun.
Në Botërorin e vitit 1966, Brazili zhgënjeu pasi u përball me dëmtime të shumë titullarëve dhe Pelé mendoi të largohej nga futbolli ndërkombëtar. Megjithatë ai bëri një rikthim triumfues në Botërorin e vitit 1970 duke e fituar atë me Brazilin dhe duke qenë lojtari i vetëm në histori që ka fituar tre Kupa Bote.
Pelé u tërhoq nga Santos në 1974 pasi shënoi 643 gola në 659 ndeshje.
Ai u detyrua të dilte në pension një vit më vonë për t’u bashkuar me ekipin e tij të dytë në histori, New York Cosmos. Në moshën 34-vjeçare, ai nënshkroi një marrëveshje trevjeçare prej 7 milionë dollarësh për të luajtur me ekipin amerikan, për të cilën The New York Times raportoi në atë kohë se e bëri atë lojtarin më të paguar në botë. Ai luajti për Cosmos për dy vjet, duke i ndihmuar ata të fitonin trofeun e Ligës së Futbollit të Amerikës së Veriut.
Ndeshja e tij e fundit ishte një ndeshje miqësore mes Santos e Cosmos. Ai luajti pjesën e parë me Cosmos dhe pjesën e dytë me Santosin e tij të dashur.
Pelé shënoi më shumë se 1000 gola gjatë karrierës së tij, duke fituar një Rekord Botëror Guinness.
Pasi u largua nga futbolli aktiv, ai u bë ambasador global i UNESCO-s në vitin 1994 dhe shërbeu si ministër për Sportin në Brazil. Ai gjithashtu botoi disa autobiografi që u bënë ‘bestseller’. FIFA e quajti atë ‘më të madhin e të gjitha kohërave’ në vitin 2012 dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e shpalli atë ‘atletin e shekullit’ në vitin 1999.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNBC