Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli mund të sulmojë Iranin brenda pak vitesh – Ministri i Mbrojtjes


Izraeli mund të nisë një sulm ushtarak që synon objektet bërthamore të Iranit brenda një harku kohor dy deri në tre vjet, tha ministri i Mbrojtjes Benny Gantz në një klasë të kadetëve të diplomuar të Forcave Ajrore të mërkurën, duke theksuar se vendi kishte ‘rritur ndjeshëm gatishmërinë e tij vitet e fundit dhe është duke u përgatitur për mundësinë e një sulmi ndaj Iranit’.

Kryeministri në largim Yair Lapid sqaroi se një sulm i tillë do ishte një përgjigje ndaj ‘kërcënimeve që ne i shohim si ekzistenciale’, duke siguruar pilotët e sapoformuar për epërsinë ushtarake të Izraelit ndërsa paralajmëroi ‘armiqtë’ e vendit se ‘asnjë qeveri izraelite nuk do pajtohet me synimet bërthamore të Iranit, shkruan RT

“Nëse është e nevojshme të veprohet, ne do veprojmë.” – tha ai.

Lapid u zëvendësua nga Benjamin Netanyahu kur qeveria e sapozgjedhur e këtij të fundit u betua të enjten. Sipas inteligjencës ushtarake të Izraelit, Teherani nuk do jetë në gjendje që të ketë bombën bërthamore së shpejti.

Në vend të kësaj, vendi ‘do vijojë në rrugën e tij  të tanishme të përparimit të ngadalshëm’ në fushën bërthamore, parashikoi një raport i parë nga Israel Hayom të dielën, duke shtuar se ‘Irani do ndryshojë politikat e tij vetëm nëse i vendosen sanksione ekstreme; atëherë mund të vendosë të përshpejtojë pasurimin në shkallë ushtarake’.

Irani zbuloi muajin e kaluar se po prodhonte uranium të pasuruar me 60% pastërti në dy nga centralet e tij bërthamore, megjithatë niveli i armëve kërkon pastërti 90%.

Teherani ka këmbëngulur prej kohësh që programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor, megjithëse kreu i Organizatës së tij të Energjisë Atomike pretendoi në gusht se ata kishin aftësinë teknike për të ndërtuar një bombë nëse dëshironin.