Juristi Kreshnik Spahiu ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kryeministri Rama, kreu i PD-së Berisha dhe ai i PL-së Meta e konsiderojnë atë armik.
Ish-kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë e bëri pohimin në një intervistë për Euronews Albania, ku shtoi se të konsiderohesh armik nga treshja e lartpërmendur është akt patriotik.
Spahiu theksoi gjatë intervistës së dita më e madhe për vendin do jetë kur treshja Rama-Berisha-Meta të largohen nga politika.
“Unë jam një qytetar i thjeshtë i këtij vendi, as nuk kam kandiduar për kryeministër, as për president. Si armik dhe unë jam shumë krenar. Unë jam shumë krenar që të konsiderohem si armik i Edi Ramës, Ilir Metës dhe Sali Berishës. Të konsiderohesh armik nga këta të tre, është akti më patriotik për vendin tënd dhe unë nuk do të resht duke folur, duke përdorur të drejtën time të fjalës, sepse heshtja ime do të vijë atë ditë kur do të mbyll sytë dhe nuk do heq dorë deri ditën që këta të tre të largohen nga politika. Unë mendoj që ditën që do të largohet Rama, Berisha dhe Meta nga politika, edhe arbëreshët e Kalabrisë do të kthehen, edhe stërnipat e Skëndërbeut do kthehen në atdheun e tyre, emigrantët po e po. Ajo do të jetë dita më e madhe dhe shpresoj që të mos jetë e largët.” – theksoi ai.