Vendosni fjalën kyçe....

Protestë te Ambasada serbe në Tiranë kundër tensioneve në veri të Kosovës


Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme përballë Ambasadës Serbe në Tiranë.

Protesta u zhvillua për shkak të tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosjes së barrikadave nga faktori serb atje. Protestuesit kanë shfaqur pankarta në mbështetje të Kosovës dhe kundër Serbisë: “Jemi një“, “Larg duart nga Kosova”, “Pa Kosovë nuk ka shqiptar”, “Stop Barrikadave”, “Trepça e Ujmani janë pasuri të Kosovës”, e të tjera.

Ata mbanin në duar edhe flamuj të Kosovës, Shqipërisë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Kryetari i SHBPPSH-së, Shpëtim Pollozhani në deklaratën që lexoi para protestuesve bëri thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës.

“Kërkojmë nga përfaqësuesit ndërkombëtar rol më aktiv në ruajtjen e sovranitetit, të qetësisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-si që të mos barazojë kontrabandistët dhe kriminelët në veri të Kosovës me veprimet legale dhe legjitime të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit në territorin e saj.”- tha ai.

Për situatën në veri të Kosovës dhe nxitjen e serbëve, Pollozhani akuzoi presidentin e serb, Aleksandër Vuçiç.