Vendosni fjalën kyçe....

Punonjësja u kap me 58 kg drogë në makinë, reagon AKSHI: Kemi nisur procedurën për shkarkimin nga puna


AKSHI ka reaguar me anë të një komunikate zyrtare, pas arrestimit të punonjëses Erisa Fero që u kap me 58 kilogramë kanabis në makinë.

Institucioni thotë se ka deklaruar se ka nisur menjëherë procedurat e shkarkimit të Feros pas arrestimit të saj.

“Në vijim të deklaratës së Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, për finalizimin e operacionit ‘Restart’, me arrrestimin e 3 shtetasve, ndër të cilët dhe znj. Erisa Fero, AKSHI njofton se: bazuar në legjislacionin shqiptar në fuqi (Kodi i Punës), ka nisur menjëherë procedurën për shkarkimin nga puna të këtij personi.

Znj. Erisa Fero, ishte punonjëse pranë sektorit përkatës të e-Albania, në nivelin Specialiste.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, dënon çdo akt të kundra ligjshëm dhe siguron se do të jetë gjithmonë mbështetës në proceset e institucioneve që veprojnë në mbrojtje të ligjit.”- thuhet në reagimin e AKSHI-t.

Policia e Korçës organizoi një operacion anti-drogë në Qafë Thanë duke arrestuar tre persona, mes të cilëve Erisa Feron dhe shpallur në kërkim dy të tjerë.

Fero rezulton shefe kompjuterike në Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Lënda narkotike raportohet se vinte nga zona Tirana, ku të implikuar kanë qenë persona nga Fushë-Kruja dhe Korça.