Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i spiunazhit në Ukrainë: Luftimet janë bllokuar


Luftimet në Ukrainë janë aktualisht në një bllokim pasi as Ukraina dhe as Rusia nuk mund të bëjnë përparime të rëndësishme, ndërsa Kievi pret për armë më të avancuara nga aleatët perëndimorë.

Kështu tha kreu i agjencisë së inteligjencës ushtarake ukrainase, Kyrylo Budanov.

“Situata thjesht është bllokuar.”- tha Kyrylo Budanov për BBC në një intervistë. “Nuk lëviz.”

Pasi trupat ukrainase rimorën qytetin jugor të Khersonit në nëntor, shumica e betejave më të ashpra kanë qenë rreth Bakhmutit, në rajonin lindor të Donetskut. Diku tjetër, forcat ruse duket se janë në mbrojtje, ndërsa dimri ka ngadalësuar ritmin e operacioneve tokësore të Ukrainës përgjatë vijës së frontit prej 1000 km.

Zoti Budanov tha se Rusia “tashmë ishte plotësisht në një qorrsokak” duke pësuar humbje shumë të rëndësishme dhe ai besonte se Kremlini kishte vendosur të shpallte një mobilizim tjetër të rekrutëve. Por, shtoi ai, forcave ukrainase ende u mungojnë burimet për të ecur përpara në fusha të shumta.

“Ne nuk mund t’i mposhtim ata në të gjitha drejtimet në mënyrë gjithëpërfshirëse. As ata nuk munden.”- tha ai. “Ne po presim me padurim furnizimet e reja të armëve dhe ardhjen e armëve më të avancuara.”

Në fillim të këtij muaji, pas një sërë pengesash ushtarake ruse, zyrtarët ukrainas paralajmëruan për mundësinë e një sulmi tjetër tokësor nga forcat e Moskës nga Bjellorusia në fillim të vitit 2023.

Shtytja, thanë ata, mund të përfshijë një përpjekje të dytë për të kapur kryeqytetin, Kievin, dhe përfshin dhjetëra mijëra rezervistë që trajnohen në Rusi.

Budanov, megjithatë, hodhi poshtë aktivitetet e Rusisë në Bjellorusi, duke përfshirë lëvizjen e mijëra trupave, si përpjekje për ta bërë Ukrainën të devijojë trupat nga fushat e betejës në jug dhe lindje në veri.

Intervista në zyrën e Budanov në Kiev u bë disa ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin udhëtoi në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për herë të parë në më shumë se tre vjet. Vizita e tij ngriti spekulime se ai mund të përpiqet të bindë presidentin Alexander Lukashenko, një aleat që e ka prej kohësh, të dërgojë trupa bjelloruse në Ukrainë.