Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthen zjarri në autostradë, humbin jetën 5 persona në Korën e Jugut (Video)


Një zjarr i fuqishëm në një autostradë të Koresë së Jugut të enjten vrau të paktën pesë persona dhe plagosi gati 40 të tjerë, të cilët mbetën të bllokuar në trafikun e rënduar që u krijua, thanë zyrtarët e urgjencës dhe media.

Videot e publikuara në mediat sociale treguan një tendë izoluese të zërit të përfshirë nga flakët menjëherë pasi zjarri shpërtheu në autostradën e dytë Gyeongin pranë kryeqytetit Seul rreth orës 1:49 pasdite.

Trafiku i rënduar e bëri të vështirë për automjetet të largoheshin nga zona e prekur pasi zjarri u përhap dhe u dëgjua një shpërthim, tha një dëshmitar për transmetuesin televiziv YTN.

Mediat thanë se zjarri dukej se kishte filluar pasi një autobus dhe një kamion u përplasën, shkruan Reuters. Por një zyrtar i zjarrfikësve në vendngjarje tha se shkaku i tij ishte ende duke u hetuar, megjithëse zjarri ishte shuar. Nga zjarri u shkatërruan gjithsej 44 vetura, tha ai.

Pesë persona u vranë dhe të paktën 37 të plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë, tha një zyrtar i urgjencës.