Turqia nuk do t’i japë Greqisë asnjë milje ujëra territoriale në Detin Egje, tha të enjten ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu, duke paralajmëruar se Ankaraja do përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur interesat e saj.
“Ne nuk do lejojmë zgjerimin e ujërave territoriale greke as me një milje në Egje, e lëre më 12,” citohet të ketë thënë Cavusoglu nga agjencia shtetërore Anadolu. Komentet e tij erdhën si përgjigje ndaj raporteve se Athina planifikon të zgjerojë ujërat e saj territoriale rreth ishullit të Kretës në 12 milje detare.
Cavusoglu kujtoi një vendim parlamentar turk të vitit 1995 që thotë se nëse Greqia zgjeron ujërat e saj territoriale në Egje përtej gjashtë miljeve, parlamenti do t’i sigurojë qeverisë ‘të gjitha fuqitë’, përfshirë ato ushtarake, në mënyrë që të mbrojë interesat kombëtare të Turqisë.
Ministri vazhdoi duke paralajmëruar Greqinë të mos ‘hyjë në heroizma të rreme duke u besuar atyre që i fërkojnë shpinën’.
“Mos kërkoni aventurizma. Nuk do të përfundojë mirë për ju!”, paralajmëroi Çavusoglu.
Javën e kaluar, qeveria greke njoftoi se planifikon të zgjerojë ujërat e saj territoriale në jug dhe perëndim të Kretës në mars, duke përmendur zhvillimet e favorshme ndërkombëtare dhe rajonale, sipas gazetës së lajmeve në internet In.Gr, e cila citoi burime nga administrata presidenciale.
Masa vendos tendosje të mëtejshme në marrëdhëniet tashmë të tensionuara midis Ankarasë dhe Athinës. Në maj, Erdogan zyrtarisht ndërpreu lidhjet me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe mbylli të gjitha kanalet e tjera të komunikimit midis vendeve.
Megjithëse të dy vendet janë partnerë të NATO-s, ata kanë një histori të gjatë rivaliteti dhe janë të ndërthurura në një numër mosmarrëveshjesh të vazhdueshme, duke përfshirë kontrollin e disa ishujve të Egjeut, si dhe për të drejtat e shpimit në Mesdhe dhe statusin e Qipros.